E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhja e Këshillit Bashkiak, Basha: 409 kredi të buta për strehim

TIRANË- Pas dy orë diskutimesh Këshilli Bashkiak i Tiranës ka përfunduar me miratimin e të gjitha pikave të rendit të ditës.

Basha: 409 kredi të buta për shtresat në nevojë
Kryebashkiaku Lulzim Basha në nisje të mbledhjes së Këshillit Bashkiak deklaroi se sot do merren shumë vendime me rëndësi për qytetarët e Tiranës.

Sipas tij, sot do mund të miratohen 409 kredi të buta për strehimin e shtresave në nevojë. “Shtresat në nevojë do mund të përfitojnë kredi të buta. Është një proces i zhvilluar me transparencë të plotë. Këtu përfshihen jetimët, të përndrjekurit, romët etj. Të miratojmë 409 kredi të buta për strehim. Përfaqësojnë shtresat në nevojë që përmbushin kushtet sipas ligjeve për të përfituar këto kredi”, tha ai. Sipas tij, politika e bashkisë për të mbështetuar familjet në nevojë nuk është ezauruar me këtë projektvendim. Drejtoria e strehmit vazhdon të evidentojë kërkesa të tjera, të cilat relatohen nga minibashkitë apo nga takimet me qytetarët. “Shpresojmë që të vijmë sërish në këshill, në një kohë jo të largët, brenda vitit, me një listë tjetër”.

Basha foli më tej edhe për privatizimin banesave, nga të cilat do përfitojnë 74 familje.
“Përfundon një proces i nisur prej 22 vitesh, përfunidimi i procedurave për rregjistrimin e banesave. 74 familje do përfitojnë nga kjo masë dhe do bëhen pronarë të ligjshëm të banesave ku kanë jetuar prej kohësh”, tha ai.

Me rëndësi, sic theksoi Basha do jetë edhe hapja e “Tirana Art Galeri”, në rrugën “Murat Toptani”. "Hapja e saj mundëson ekspozimin e veprave të artistëve vendas e të huaj”, theksoi Basha.

Eshtë parashikuar edhe  vendosja e pllakës memorial në kujtim të holokaustit, në shëtitoren pranë parkut të madh të liqenit dhe emërtimin e një shkolle të re në Laprakë me emrin e poetit kombëtar, Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i shqiptarëve”. Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë edhe projektvendimet për ”Ristrukturimin e Qendrës Sociale “Të qëndrojmë së bashku”, “Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe familjet në Nevojë” dhe Qendrës Komunitare për të Moshuarit”, miratimin e strukturave të tyre organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012” dhe “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.71, datë 20.12.2005, “Për kalimin capital të asetit “Pjesë objektit” të Ndërmarrjes Shërbimeve Mekanike, Rr. “Sabaudin Gabrani” Bashkisë Tiranë si dhe ndryshimin e destinacionit të këtij objekti në qendër sociale “Të qëndrojmë së bashku”.

Dalipi:Taksat e larta, bizneset drejt falimentimit
Në nisje të mbledhjes këshilltari socialist, Aldrin Dalipi ngriti shqetësimin e bizneseve që sipas tij janë duke falimentuar, për shkak të rritjes së taksave.
“Po paraqes këtu shqetësimet e biznesit që janë vënë në presion nga administrata e tatim-takseve në Tiranë. Bashkia po vepron arbitrarisht duke rritur taksat. Po i shtyni bizneset drejt falimentimit”, tha ai më tej.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›