E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Arsimimi ndryshon të ardhmen e komunitetit rom

TIRANË- Duke folur në vigjilje të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, vuri theksin mbi rëndësinë e arsimit si një instrument thelbësor për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit rom brenda shoqërisë shqiptare.

“Përmes shkollimit të mirë fëmijët romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për t’i hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike,” tha Ambasadori Wollfarth.

Wollfarth kërkoi që ndjekja e shkollës nga ana e fëmijëve romë së bashku me nxënësit e tjerë shqiptarë duhet të jetë në krye të një qëndrimi të integruar për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit rom.
Sipas tij, "nevojitet zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom, si dhe i angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve romë me libra falas".

Me qëllim që t’i jepet zgjidhje kësaj çështjeje, prezenca ka financuar disa projekte në rajone të ndryshme të vendit me synimin për t’i pajisur fëmijët romë me materiale shkollore, të cilat përfshijnë ndër të tjera libra dhe kompjutera.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›