E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhnin krom në galeri, vdes gruaja, plagoset bashkëshorti

TROPOJE- Një 41 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të gazit në një prej galerive të minierës së kromit në Kam të Tropojës, ndërsa burri i saj ka mbetur i plagosur.
Burime të policisë lokale thanë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur Basri Jahelezi, 42 vjeç dhe gruaja e tij, Hajria, 41 vjeç, ishin duke mbledhur krom në një prej galerive të minierës së vjetër të kromit. Por shpërthimi i papritur i gazit ka bërë që të dy bashkëshortët të humbasin ndjenjat. Punëtorët e tjerë që punonin po në këtë galeri i kanë nisur të dy bashkëshortët drejt spitalit të Krumës, por rrugës shtetësja Hajrie Jahelezi, ka humbur jetën.
Nëndrejtori i Policisë së Qarkut, Xhaferr Elezi, bëri të ditur për se në vendngjarje shkoi menjëherë grupi hetimor, i cili bllokoi vendin e ngjarjes, duke mos lejuar punëtorë të tjerë të hynin në galeri.
Ai bëri të ditur se ngjarja eshtë aksidentale si rrjedhojë e shpërthimit të menjëhershëm të gazit, gjë ka sjellë vdekjen e gruas dhe plagosjen e burrit të saj.
Policia u ka bërë thirrje banorëve të zonës të mos hyjnë në këto galeri të braktisura prej dy dekadash pasi rreziku eshtë i madh.
Shfrytëzimi i galerive të kromit nga persona privatë e pa asnjë kontroll është i përhapur në këtë zonë nga banorë që, përmes kësaj pune, nxjerrin të ardhura për të mbajtur familjen.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›