E Shtunë, 31 Tetor 2026

Centrali bërthamor ngjall irritim

Central berthamor

Anetare te opozites e quajne nje aventure te çmendur dhe nje shaka tallese kembenguljen qeveritare per ngritjen e nje Çernobili ne vendin e qindra depove me municion

Opozita pjesërisht është kundër ngritjes së një centrali bërthamor në Shqipëri, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike. Përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë deklaruar prerë kundër ngritjes së një centrali të tillë. Ligjvënësit janë pyetur nga “Korrieri” rreth mundësisë së ngritjes së një centrali bërthamor, sidomos pas tragjedisë së Gërdecit. Deputeti socialist Taulant Balla, vlerëson ngritjen e një centrali bërthamor si një ndër shakatë tallëse të kryeministrit Sali Berisha me nevojat që ka vendi me një sistem të qëndrueshëm prodhimi dhe furnizimi me energji elektrike. Ai nënvizon se aksidente në centrale bërthamore janë të vazhdueshme edhe në vende të zhvilluara, deri në 4-5 aksidente të mëdha. “Në këtë ide të kryeministrit Berisha, ashtu si dhe shumë raste të tjera, duke filluar nga kafshata e deri së fundmi me ndërtimin e centralit, nuk bazohet në asnjë studim vizibiliteti që duhet bërë në këtë rast, nëse Shqipëria i ka mundësitë për të krijuar një hapësirë të sigurt, ku mund të ndërtohet një central i tillë”, tha Balla. Ai nënvizon se tragjedia e Gërdecit mund të ketë ardhur edhe nga një pakujdesi. “Imagjinoni që një pakujdesi e ngjashme ç’mund të shkaktonte në Shqipëri! Një shkatërrim pothuajse total i të gjithë vendit”, tha ai. Kudër kësaj ideje është edhe nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi. “Është një aventurë që Shqipëria të pretendojë të ndërtojë një central bërthamor, aq më shumë që kërkon kushte të jashtëzakonshme sigurie, kërkon një specializim shumë të lartë të punonjësve të thjeshtë, natyrisht akoma më shumë të specialistëve”, thotë ai. Për zyrtarin e lartë të LSI-së, në kushtet aktuale, të rihapësh këtë tezë përbën një cinizëm, i cili godet akoma më shumë një popull në fatkeqësi dhe në dhimbje. Por krejt ndryshe mendon kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Sipas tij, tragjedia e Gërdecit nuk ka të bëjë aspak lidhur me diskutimet që ekzistojnë në Shqipëri lidhur me teknologjinë. “Nuk mendoj se Gërdeci duhet të ndikojë mbi vendimet për të ndërtuar centrale atomike në Shqipëri dhe mendoj se është koha pikërisht që Shqipëria të futet në tregun e energjisë me teknologjinë më të përparuar”, thotë ai. Për kryetarin e PAD-së, e mira është që për ngritjen e një centrali bërthamor duhet bashkëpunim me vende ku teknologjia është më e përparuar, si për shembull Franca. Ndërkohë, ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Vjenës, të kryesuar nga drejtori ligjor, kanë mbyllur bisedimet për fazën e parë, atë për hartimin e legjislacionit në kryeqytetin shqiptar. Në vazhdën e të gjithë deklaratave për ngritjen e një centrali bërthamor, tashmë kanë përfunduar diskutimet për hartimin e ligjit bërthamor, i cili konsiderohet shtrati i kësaj vepre energjetike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›