Berisha gënjeu, Gërdeci shpërtheu

Edi Rama
Opozita kerkoi perseri dje doreheqjen e kryeministrit Berisha, si shkaktar te tragjedise se rende te Gerdecit dhe per shkak se ka genjyer opinionin publik rreth fakteve qe dinte mbi ate fabrike. Qytetaret ftohen ne nje "marshim te heshtur"
Edi Rama jep prova se do të mbajë premtimin e tij për gjetjen dhe dënimin e shkaktarëve të tragjedisë së Gërdecit dhe nuk mjaftohet vetëm me dorëheqjen e Fatmir Mediut. Për të treguar se kjo çudi nuk do të zgjasë tri ditë, ai iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të marrin pjesë sot në orën 17.30, në një homazh pa flamurë politikë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet. “Të ecim së bashku, si prindër që dimë t’i mbrojmë fëmijët tanë, familjet e atdheun tonë, duke shprehur me krenari qytetare jo vetëm hidhërimin, po edhe indinjatën për jetën e humbur të bashkëmoshatarëve të fëmijëve tanë të shfrytëzuar kafshërisht në të zezë e të vrarë barbarisht nga një bombë e kurdisur me vendimin e papërgjegjshëm të qeverisë sonë të paaftë e me bekimin e kryeministrit tonë të korruptuar. Të ecim së bashku, si burra e gra që nuk e ulin kokën, duke u bërë bashkëfajtorë të heshtur me ata që provokuan shpërthimin shurdhues e vrastar”, - tha lideri i socialistëve. Në krahun tjetër, Rama nuk harroi të kundërshtojë edhe akuzat e kryeministrit ndaj përfaqësuesve të medias. Na gënjeu tri herë Pikërisht duke falënderuar median, kreu i PS-së, Edi Rama, theksoi se përmes burimeve të informacionit, shqiptarët mësuan se kryeministri Sali Berisha ka gënjyer tri herë gjatë tri ditëve. “Kryeministri na tha se Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin dhe na gënjeu. Na tha se në atë punishte nuk punonin gra e fëmijë dhe na sërish gënjeu. Na tha se ai s’ka pasur asnjë dijeni për këtë punë dhe përsëri na gënjeu. Qoftë edhe njëra nga këto gënjeshtra, do të mjaftonte që kryeministri i një vendi që pret ftesën e anëtarësimit në NATO, të dorëhiqej e jo më i gjithë ky skandal që tronditi botën e që po e mbulon dita-ditës Shqipërinë me blozën e një vullkani korruptiv, në sytë e të tërë partnerëve tanë ndërkombëtarë”, - u shpreh lideri i PS-së. Sipas Ramës, falë papërgjegjshmërisë së qeverisë, që e cilësoi po ashtu të paaftë dhe të korruptuar, Shqipëria është kthyer në një fushë të minuar me rreziqe për jetën. Dorqëhiqu! Rama si një qytetar, u bëri thirrje të gjithëve të bashkohen për të kundërshtuar keqqeverisjen e vendit dhe duke kërkuar dorëheqjen e kreut të ekzekutivit. “Pikërisht si njëri ndër ju, qytetar i këtij vendi, ku jeta është e kërcënuar vijimësisht e ku qeveria është kthyer në një agjenci funeralesh vetëm e vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që e ka mbërthyer për fyti, ju ftoj të mbrojmë së bashku jetën. Duke e konsideruar dorëheqjen e këtij kryeministri si të drejtën tonë, për të jetuar të sigurt në atdheun tonë”, - deklaroi ai. Kryetari i PS-së shtoi se të gjithë duhet të ngrenë zërin kundër mungesës minimale të sigurisë në punë, falë kësaj qeverie, që sipas tij bombardoi popullsinë dhe me papërgjegjshmërinë, paaftësinë e korrupsionin e saj vrau dhjetëra njerëz e rrafshoi mbi 300 shtëpi. saqellari@korrieri.com