E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjoba E Fundit”, 14 vjet burg dhe 4.3 milion lekë gjobe për 7 të pandehurit



TIRANË - Gjykata e Tiranës vendosi të enjten shpalljen fajtor të shtatë të pandehurve të arrestuar gjatë operacioneve të koduara “Gjoba e fundit 1 dhe 2", dhe dënimin e tyre me 14 vjet burg dhe 4.3 milion lekë gjobë gjithsej, për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ilir Celiku shpalli dënimin me 3 vjet heqje lirie dhe 1.5 milion lekë gjobë për Flamur Mallkuçin, ish-shef i Policisë Tatimore pranë Degës të Tatimeve Tiranë, 3 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë për Genci Murthin, ish- oficer në Sektorin e Policisë Tatimore, 2 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë për Dritan Metanin, ish- oficer i Policisë Tatimore, 2 vjet burg dhe 400 mijë lekë gjobë për Migen Katroshi, ish- shofer i Grupit të Policisë Tatimore. Gjithashtu, Gjykata vendosi dënimin me 2 vjet burg dhe 500 mijë lekë për Arjan Pashajn ish-shef i tatimorëve te zona e ish-bllokut, me 1 vit burg Aurel Cenollin ish-oficer i policisë Tatimore Tiranë dhe me 1 vit burg dhe 100 mijë lekë, Klodian Myftarin me detyrë ekonomist në një kompani private. Gjashtë prej të pandehurve u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Gjoba e fundit 1" në shtator të 2007, ndërsa Arjan Pashaj, në dhjetor të 2007, në operacionin “Gjoba e fundit 2”. Nga hetimet paraprake të kryera me metoda të hetimeve speciale, në shtator të vitit të kaluar, rezultoi se 5 punonjësit e Policisë Tatimore kishin kryer veprime të paligjshme dhe korruptive ndaj disa subjekteve tatimore në Tiranë, duke iu bërë presion për bllokimin e aktivitetit të tyre dhe duke iu kërkuar dhe marrë vlera monetare në këmbim të tolerimit të shkeljeve të konstatuara.

Gjykata, 25 vite burg për Zylfie Haklajn

TIRANË - Gjykata e Tiranës, dënoi të enjten me 25 vjet burg në mungesë, Zylfie Haklajn për veprat penale të “vrasjes” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Po kaq vite kërkoi edhe një javë më parë organi i akuzës në pretencën përfundimtare të tij. E shpallur në kërkim ndërkombëtar, Zylfie Haklaj u deklarua fajtore për gjarjen e 2 prillit 2002, pasi ekzekutoi me armë zjarri Rasim Lumneshin dhe Ilir Gosturanin, ku mbetën të plagosur edhe Izet Dusha e Hysen Biberaj. Ngjarja ndodhi para hotel “Shkëlzeni” në Bajram Curri të rrethit Tropojë, me pretendim se mori hak për katër vëllezërit e vrarë, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj.

Gërdec, shoqërohen 7 persona për vjedhje

TIRANE - Policia e Tiranës bëri të ditur të enjten shoqërimin e 7 personave, pasi dyshohen se kanë vjedhur mbeturina të municioneve dhe mbetje të predhave, me qëllim përpunimin e tyre për skrap. Kapja e tyre është bërë shumë pranë zonës së perimetrit ku kanë ndodhur shpërthimet në Gërdec. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Tiranës, ata janë shtetasit, A.T., 11 vjeç, T. P., 12 vjeç, D. K., 17 vjeç, banues në Spitallë Durrës, Xhavit Tanushi, 44 vjeç, Qerim Preza, 51 vjeç, Veli Nazia, 43 vjeç, si dhe Besim Preza, 45 vjeç, lindur e banues në fshtatin Sukth të Durrësit. Ndaj tyre po kryen të gjitha veprimet hetimore, për të filluar çështja penale, për konsumim të veprës penale të “vjedhjes”. Shtetasit e lartpërmendur, pas marrjes në pyetje do t’i dorëzohen grupit të posaçëm të shërbimeve Ushtarake.

U pyetën për ngjarjen tragjike, lihen të lirë

Tiranë - Tre personat, të cilët u shoqëruan në Polici, për të sqaruar dhe treguar rrethanat për hetimin e ngjarjes së Gërdecit, janë lënë të lirë. Strukturat policore të Komisariatit të Policisë Nr.6 në Tiranë, shoqëruan në mesditë për në ambientet e komisariatit shtetasit, Shefki Sefaj 35 vjeç, banues në fshatin Gërdec, Gëzim Gjoni 48 vjeç, banues në bashkinë Vorë, si dhe Ilir Ramollari 33 vjeç, banues në Valias. Shtetasit e sipërcituar, pasi janë marrë në pyetje në lidhje me sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes të datës 15 mars 2008, janë lënë të lirë.

Ekstradohet nga Greqia një i kërkuar për vrasje

TIRANË - Interpol Tirana ekstradoi dje nga Greqia shtetasin Dëfrim Goroveci, 41 vjeç, lindur dhe banues në Podgorije, Korçë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, në qershor të 1989, e ka dënuar Gorovecin me 25 vjet heqje lirie, për veprën penale të “Vrasjes me dashje” për motive të dobëta. Vendimi ka marrë formë të prerë pasi nuk është ankimuar. Gjatë trazirave të vitit 1997, i pandehuri Dëfrim Goroveci është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit, duke u shpallur më pas në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij u krye si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Athinën.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›