E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci” analizohet në Prokurorinë e Përgjithshme



TIRANË - Ecuria e hetimeve për dosjen “Gërdeci” mblodhi dje në Prokurorinë e Përgjithshme grupin e prokurorëve dhe hetuesve të kësaj çështje, bënë të ditur për ATSH burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit Zamir Shtylla, drejtori i Zyrës së Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme, ka marrë në analizë të dhënat, faktet dhe provat e administruara deri më tani, si dhe ka përcaktuar hapat e ardhshëm që do të ndërmerren për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes. Në mbledhjen e sotme, krahas prokurorëve dhe hetuesve të ngarkuar me hetimet për ngjarjen në “Gërdec”, ishin të pranishëm edhe hetuesit e Prokurorisë së Tiranës që realizuan hetimet paraprake për këtë ngjarje. Dosja “Gërdeci” i kaloi për hetime para pak ditësh Prokurorisë së Përgjithshme, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën e saj për vazhdimin e hetimeve për këtë ngjarje. Në këtë konkluzion u arrit për shkak se prej të dhënave të përfituara nga hetimi, grupi hetimor arriti në përfundimin se ka elemente, sipas së cilave, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, mund të ketë konsumuar veprën e shpërdorimit të detyrës. Sipas të njëjtit burim, është zgjeruar edhe rrethi i personave të marrë nën hetim për këtë çështje. Ndërkohë që, në dhomat e paraburgimit të Tiranës, ndodhen të izoluar drejtuesit e subjekteve që administronin fabrikën që demontonte municione luftarake në fshatin Gërdec të Bashkisë së Vorës, administratori i firmës “Albademil”, Mihal Delijorgji, drejtori teknik i kësaj firme, Dritan Minxholi si dhe ish- drejtori i kompanisë shtetërore Meico, Ylli Pinari. Këta persona u arrestuan pas shpërthimit më 15 mars në Gërdec me akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë për lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›