E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëresha e Britanisë hap parlamentin

Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabeta II ka bërë hapjen tradicionale të parlamentit dhe fjalimi i saj konfirmoi prioritetin e qeverisë së vendit për t'u marrë me situatën ekonomike. Ky është evenimenti më i madh ceremonial i vitit. Mbretëresha mori pjesë në seancën parlamentare me veshjen e tradicionale të monarkut. Por në të vërtetë, fjalimi i saj, ku theksohet edhe programi qeverisë për vitin e ardhshëm, ishte i shkruar nga qeveria. Që prej fillimit ishte e qartë se zhvillimet ekonomike ende mbajnë në hije skenën politike. "Prioriteti kryesor i qeverisë sime është të sigurojë stabilitetin e ekonomisë britanike gjatë kësaj rënieje ekonomike. Qeveria është e angazhuar të ndihmojë familjet dhe bizneset në këto kohë të vështira. Forca e sektorit financiar është jetësore për të ardhmen e ekonomisë. Ndaj edhe do të vazhdohet që legjislacioni të çohet përpara për të siguruar një mbrojtje më të drejtë dhe të ndershme për depozituesit e bankave dhe për të përmirësuar forcën e sektorit financiar", tha në fjalimin e saj Mbretëresha. Seanca e parlamentit u duk se u la në hije nga një përplasje politike lidhur me arrestimin javën e kaluar të një politikani të opozitës për daljen e informacioneve qeveritare. Ky arrestim thonë shumë politikanë pengon të drejtat parlamentare dhe privilegjet që simbolizon edhe kjo seancë. Kryetari i parlamentit u detyrua të bëjë një deklaratë lidhur me arrestimin e politikanit të opozitës, ndërsa deputetët opozitarë kërkuan një debat urgjent. Kryetari i Dhomës së ulët të parlamentit, Majkëll Martin shprehu keqardhjen që policia ishte lejuar të bastiste zyrën e politikanit konservator pa patur një urdhër kontrolli. Martin premtoi se në të ardhmen çdo kontroll në Dhomën e Ulët do të bëhej vetëm një urdhër të tillë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›