Thaçi: EULEX-i do ta respektojë Kushtetutën

"Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë mbështetur vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Pakon e Presidentit Ahtisaari, por kanë refuzuar në plotëni planin gjashtë pikësh të OKB-së për Kosovën", deklaroi sot kryeministri Hashim Thaçi.Duke vlerësuar disa reagime në opinionin për planin gjashtë pikësh, kryeministri ka vlerësuar se "Disa të dështuar në politikë dhe në shoqërinë kosovare, ndoshta kanë pritur që institucionet t'i thonë PO planit gjashtë pikësh, por ne kemi dhënë përgjigje shtetërore dhe në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë që na janë dhënë nga populli"Kryeministri Hashim Thaçi në vazhdim shtoi se "ndoshta dikujt i duket e pamundur shtrirja e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, por kjo sigurisht që do të ndodhë. EULEX nuk është vetëm mision i Bashkimit Evropian. Në EULEX do të jetë edhe prezenca e qëndrueshme dhe efektive amerikane. Prandaj, ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë, dhe assesi, nuk duhet të tolerojmë sharje, akuza dhe hedhje gurësh ndaj partnerëve tanë, qofshin ata të Bashkimit Evropian, qofshin të NATO-s apo të SHBA-ve"."Çdo hedhje gurësh ndaj partnerëve të Kosovës, është atak ndaj procesit të pavarësisë dhe njohjes së Kosovës", tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Republikës Kosovës.
Misioni i EULEX-it do të funksionoj në Kosovë, në përputhshmëri me mandatin që e ka, edhe në Veri të Mitrovicës e edhe në Kaçanik. Do të kemi një mision i cili do të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentin e Presidentit Ahtisaarit. EULEX-i është një mision i cili nuk do të punojë për një komunitet, e kundër një komuniteti tjetër. Ai është mision i cili do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e Kosovës, në të mirë të vendit dhe të gjithë qytetarëve, - u shpreh kryeministri Thaçi.