Moti i keq, ndërpritet puna në portin e Durrësit
Koha e keqe, që ka përfshirë Durrësin e shoqëruar me erë të fortë dhe shira të dendur si dhe ulja e temperaturave kanë shkaktuar mjaft probleme në portin e Durrësit ku të është ndërprerë puna gjatë gjithë ditës. Sipas burimeve nga kapiteneria e portit të Durrësit, në orët e mbrëmjes, forca e detit ka arritur në 7-8 ballë në një kohë që fuqia e erës me drejtimin veriperëndim ka arritur në 25 m /sek.
Po sipas burimeve nga kapiteneria, në një situatë të tillë është bllokuar totalisht lundrimi i anijeve të tonazhit të vogël dhe të mesëm, në një kohë që ka pasur vonesa në lundrimin e trageteve të linjave. Po kështu, është paralizuar puna në portin e peshkimit në Durrës, ku të gjitha anijet janë detyruar që të qëndrojnë të ankoruara në port. Të gjitha tragetet kanë mbërritur në portin e Durrësit me vonesë. Në Gjirin e Durrësit forca e detit shkon deri në gjashtë ball ndërsa shpejtësia e erës në 17 metër në sekondë, e cila fryn në drejtim të jug-perëndimit. Era e fortë si dhe reshjet e shiut, kanë bërë që të pezullohet lundrimi për të gjithë mjetet e tonazhit të ulët dhe atë të peshkimit. Përveç kësaj shiu ka krijuar probleme të mëdha dhe në sektorin e ngarkim- shkarkimi, ku anijet kanë mbyllur hambarët deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, për shkak të sigurisë. Burime nga kapiteneria bëjnë më dije se përkeqësimi i kohës është ndjerë që në orët e vona të së dielës, ndërkohë që moti i keq pritet të vijojë përgjatë gjithë ditës së sotme. Për të përballuar situatën, kapiteneria e portit të Durrësit ka qenë në gatishmëri të lartë për të përballuar çdo situatë. Masa të forta gatishmërie ka pasur në portin e peshkimit ku ka pasur një mbingarkesë të anijeve pas shpërnguljes së një pjese të tyre nga kalata lindore. Edhe ne qytet mjaft rrugë që ndodhen në proces rikonstruksioni kanë patur problem me ujin që i ka mbuluar ato pjesërisht.