Gramsh, rruga hyrëse e qytetit i nënshtrohet rindërtimit
Me një fond prej rreth 40 milion lekësh, akorduar nga qeveria shqiptare, ka nisur rikonstruksioni i plotë i rrugës në hyrje të qytetit të Gramshit. Kryetari i bashkisë së Gramshit, Kastriot Zëra, tha se rruga me gjatësi 1000 metra po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, jo vetëm për asfaltimin e saj, por edhe vendosjen e sistemit të ndriçimit, ndërtimin e trotuareve dhe reja dhe mbjelljen e pemëve dekorative.
Sipas tij, rikonstruksioni i këtij aksi të rëndësishëm rrugor për qytetin pritet të përfundojë në fillim të muajit qershor. Zëra shtoi se në qytetin e Gramshit priten investime të reja, si ajo për rikonstruksionin e shëtitores së qytetit, me një fond prej 10 milion lekë, ndriçimin e saj, ku do të investohen 8.1 milion lekë, çka do ti japë një tjetër pamje qytetit. Gjithashtu, sipas tij, pritet prokurimi i 6 milion lekëve të tjera për rikonstruksionin e rrugës Nazif Zhupani, ku përfshihet asfaltimi, rrjeti i ndriçimit, rrjeti i kanalizimeve, ndërtimi i trotuareve, etj.