E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, nis rikonstruksioni i rrugës për së Kuzum Babait

Rruga nga sheshi i bashkisë së Vlorës që të çon në pikën turistike të Kuzum Babait në këtë qytet i është nënshtruar dje rikonstruksionit me një financim prej 23.5 milionë lekësh. Rruga me gjatësi prej rreth 500 metra dhe gjerësi prej rreth 4 metra përshkon lagjen Muradie, një ndër më të vjetrat e qytetit dhe gjendja e saj aktuale është tërësisht e amortizuar për shkak të mungesës së investimeve për mirëmbajtjen e saj. Projekti  parashikon ndërtimin e rrjetit inxhinierik, duke përfshirë linjat e ujësjellësit, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin dhe trotuaret. Për shkak se një pjesë e saj, do të përshkojë kodrën e Kuzum Babait, me një pjerrësi të theksuar, në disa dhjetëra metra rruga do të shtrohet me beton të fraksionuar. Sipërfaqja e përgjithshme e pjesës së asfaltuar, arrin në rreth 6500 metra katrorë. Punimet që nisën sot janë parashikuar të përfundojnë brenda 3 muajve. Ato do të kryhen nga firma Laba shpk. Ky projekt është pjesë e investimeve që po realizon bashkia e Vlorës në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe që për këtë vit arrijnë në 500 milionë lekë. Me këtë fond do të zbatohen 24 projekte publike në infrastrukturë, duke përfshirë dhe sistemimin e hapësirave brenda tre blloqeve të banimit si dhe rehabilitimin e disa akseve rrugore e godinave të shkollave. Aktualisht, në qytetin e Vlorës janë në proces disa projekte, mes të cilëve më i rëndësishmi është ai i ndërtimit të rrugë së emërtuar Transballkanikja, që financohet nga qeveria shqiptare, me një vlerë prej 7 milionë euro. Po ashtu, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj të Hollandës me një kosto financiare prej 26 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›