E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

(E plotësuar) Kryeministri Hashim Thaçi është takuar sot me Sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, si dhe për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe për procesin e reformave të gjithëmbarshme në Kosovë.

"Gjatë këtij takimi, kryeministri Thaçi e njoftoi Hague me punën që është bërë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të realizuar të gjitha obligimet që dalin nga agjenda e integrimit evropian të Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha reformat strukturore në ekonomi, politikë dhe legjislacion. Kryeministri Thaçi shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për forcimin e qeverisjes së mirë, efikase, transparente, thellimin e përkushtimeve për zbatimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, si dhe në veçanti përkushtimet institucionale për respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal", thuhet ne njoftim te Zyres se Kryeministrit.

Kryeministri Thaçi në takim ritheksoi që dialogu mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë vetëm pasi që marrëveshjet e arritura të nisin të implementohen.

Nga ana e tij, Sekretari për Punë të Jashtme, William Hague e ka siguruar kryeministrin Thaçi që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, sidomos në rrugën për t’u bërë anëtare në Bashkimin Evropian.

"Z.Hague vlerësoi progresin e Kosovës dhe kërkoi nga kryeministri Thaçi të vazhdojë reformat e nevojshme, sidomos në gjetjen e një plani për integrimin e komunitetit serb që jetojnë në veri të vendit. Sekretari britanik Hague e mirëpriti progresin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi, dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij dialogu, në mënyrë që të dy vendet fqinje të kenë mundësi të arrijnë progres drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian", thuhet me tej ne njoftim.

Jahjaga në Londër

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka arritur në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike, me ftesë të sekretarit të jashtëm britanik, William Hague.

Ne aeroportin Heathrow të Londrës, Presidentja Jahjaga është pritur nga përfaqësuesi i oborrit mbretëror të Mbretërisë së Bashkuar.

Presidentja Jahjaga merr pjesë në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike Londra 2012, ku do të marrin pjesë rreth 200 udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës.

Politikanët në Olimpiadë

Sportistët e Kosovës, përveç Majlinda Kelmendit, do t’i ndjekin Lojërat Olimpike përmes televizorit. Por kështu nuk do të veprojnë edhe politikanët. Të premten, në Londër pritet të jenë të pranishëm Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi, si pjesë e delegacioneve shtetërore që marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së lojërave. Dy udhëheqësit e Shtetit kanë marrë ftesë nga Sekretari i Britanisë së Madhe, William Hague. Burime të Expressit thonë se, ka gjasë, që ata të takohen edhe me Kryeministrin britanik, David Cameron.

Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi do të marrin pjesë në hapjen e Lojërave të 30-ta Olimpike që sivjet mbahen në kryeqytetin britanik, Londër.

Bashkë me delegacionet shtetërore të më shumë se dyqind shteteve, udhëheqësit e Kosovës do të marrin pjesë për herë të parë në ceremoninë zyrtare të ngjarjes më të madhe sportive në planet, që organizohet të premten.

Burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës Express së Presidentja dhe Kryeministri kanë marrë ftesë nga Sekretari i Britanisë së Madhe, William Hague për të marrë pjesë si delegacion shtetëror i Kosovës, në hapjen e Olimpiadës.

“Delegacioni i Kosovës do të jetë i barabartë, sikur delegacionet e të gjitha shteteve të botës”, ka thënë një diplomat britanik, në kushte anonimiteti.

Dy zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës, përveç me Sekretarin Hague, pritet të takohen edhe me Kryeministrin britanik, David Cameron, i cili do të jetë nikoqir i mysafirëve nga e mbarë bota.

Presidentja dhe Kryeministri pritet të nisen për në Londër gjatë ditës së enjte.

Burime ndërkombëtare kanë treguar se ftesa e britanikëve për Jahjagën dhe Thaçin është bërë përkundër rrezikut të ndonjë proteste të mundshme të Serbisë, e cila kundërshton pjesëmarrjen e Kosovës në çfarëdo organizimi ndërkombëtar, si shtet i barabartë.

Pjesëmarrëse në hapjen e Lojërave Olimpike pritet të jenë delegacionet e më shumë se 200 shteteve, që do të marrin pjesë në 26 lloje të sporteve me pjesëmarrjen 10 mijë e 500 atletëve.

Mirëpo, Kosova deri më tash asnjëherë nuk ka marrë pjesë si shtet në këtë organizim sportiv, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk e njeh shtetin tonë.

Megjithëkëtë, në kryeqytetin britanik është nisur të mërkurën, xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila do të mbrojë ngjyrat e flamurit kombëtar të Shqipërisë.

Kelmendi, e cila do të ketë sfidën e parë këtë të diel, pritet të ketë për shikues edhe dy udhëheqësit e Shtetit të Kosovës, Presidenten Jahjaga dhe Kryeministrin Thaçi.

Autoritetet e sportit në Prishtinë deri në momentet e fundit kanë shpresuar se edhe Kosova do të jetë pjesë e Olimpiadës, me sportisten Majlinda Kelmendi.

Zyrtarët e Kosovës patën kërkuar të marrin pjesë në Olimpiadë, me flamurin e Kosovës, apo të paktën, Majlinda Kelmendi të udhëtojë atje si sportiste e pavarur.

Por, të dyja këto kërkesa janë refuzuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, me ç`rast sportistja Kelmendi ka udhëtuar për në Londër, si pjesë e ekipit olimpik të Shqipërisë.

Nuk është hera e parë që sportistët nga Kosova kanë marrë pjesë në ngjarjen më të madhe sportive në botë, që organizohet çdo katër vjet, duke u paraqitur në emër të shteteve tjera. Përveç Aziz Salihut, Mehmet Bogujefcit, Fadil Vokrrit që kanë mbrojtur ngjyrat e flamurit të ish-Jugosllavisë ndër vite, edhe në kohët e vona ka pasur kosovarë prezentë në Olimpiadë, siç ka qenë Luan Krasniqi me Gjermaninë, Naim Tërbunja me Suedinë (boks), Fatmire Bajramaj me Gjermaninë (futboll) etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›