Plazhi i Velipojës edhe këtë vit pa roje bregdetare

Plazhi i Velipojes edhe këtë sezon turistik ka mbetur në mëshirë të fatit, pa roje bregdetare. Kjo situatë ka bërë që pushuesit të ndihen të frikësuar përballë detit, që jo pak herë ka marrë edhe jetë njerëzish.
5 vite më parë, në plazh kanë qenë të vendosura disa pika vrojtimi, në të cilat qëndronin gjithë kohes rojet bregdetare që vrojtonin situaten ne plazhe, por ato pika vrojtimi, që ishin të ndërtuara nga elemente hekuri janë vjedhur nga persona të papërgjegjshëm, duke i shitur për skrap. Që nga ajo kohë plazhi i Velipojës ka mbetur pa pika vrojtimi dhe roje bregdetare.
Për pushuesit situata është kthyer në një makth, pasi u duhet të ruajnë fëmijët e tyre në kohën që hyjnë në ujë për t‘u freskuar. Në gjithë plazhin e Velipojës, vetëm në një territor privat ka roje bregdetare, kurse per pjesen publike as nuk behet fjale.
Krejtësisht ndryshe është situata në plazhet fqinje, në Mal të Zi, të cilat e kanë të detyrueshme prezencën e rojeve bregdetare, madje çdo ditë ngrihen flamujt në bregdet sipas ngjyrave që përcaktojnë edhe rrezikun e hyrjes në det.