Mbretërit e botës në Suedi për dasmën e çiftit të pazakontë
Princesha e kurorës suedeze, Viktoria ka lidhur dje kurorë me Daniel Uestling ish-trajnerin e saj, një njeri pa asnjë titull fisnik, duke fituar simpatinë e gjithë popullit suedez. Më shumë se 1,000 të ftuar, përfshirë figura mbretërore nga e gjithë bota, morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Katedralen e Stokholmit. Mijëra njerëz kishin mbushur rrugët e Stokholmit për të parë nuse princeshën 32-vjeçare, ndërsa do të mbante në krah një njeri të zakonshëm si ata. Daniel Uestling, 36 vjeç, pas kësaj martese mori titullin HRH Princ Daniel, Duka i Vastergotland. Flamuj kombëtarë suedezë dhe 40,000 trëndafila, karafila, zambakë dhe lulebora janë përdorur për të dekoruar rrugët, të cilat patrulloheshin nga 8000 ushtarë dhe oficerë të policisë. Një anketë e publikuar të premten ka treguar më pak se gjysma e popullit suedez tani mbështet mbretërinë dhe një e katërta mendon se kjo nuk i sjell dobi vendit. Vendimi i Princeshës Viktoria që të shoqërohet në altar nga babai i saj, Mbreti Karl Gustav XVI, u kritikua edhe nga shumë si e vjetruar. Vendi është i njohur për barazinë gjinore dhe çiftet normalisht ecin në altar së bashku. Një varkë mbretërore më pas do t’i shëtisë ata nëpër portin piktoresk të Stokholmit drejt Pallatit Mbretëror, ku prindërit e Princeshës, Mbreti Karl Gustafi XVI dhe mbretëresha Silvia, do të presin të ftuarit. Uestling, i cili vjen nga një familje modeste u takua me Princeshën Viktoria në vitin 2001 kur u bë trajneri i saj personal në një palestër luksi që zotëronte. Babai i saj fillimisht nuk e miratoi këtë lidhje, pavarësisht nga fakti se 36 vjet më parë ai vetë u martua me një grua nga një familje e thjeshtë, Silvia Samerleth, e cili është me origjinë të përzier gjermane dhe braziliane. Por insistimi i palëkundur i Viktorias se Uestling ishte Princi i saj fitoi respektin dhe admirimin e shumë suedezëve.
Periudhë skandalesh
Dasma ndodh në një periudhë skandalesh për anëtarët e tjerë të familjes mbretërore suedeze. Më fillim të këtij viti, vëllai i Viktorias, Princi Karl Filipi, 31 vjeç, u nda nga e fejuara e tij prej shumë vitesh, pas lidhjes me një yll 26-vjeçar të realiteteve TV që ka pozuar gjysmë nudo me një piton. Motra e Viktorias, Princesha Madalein, 28 vjeçe, prishi fejesën e saj me një avokat, pasi ai pohoi se e kishte tradhtuar me një 21-vjeçare norvegjeze në një klub nate, në një vendpushim skish.