E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje 19-vjeçar e çon Besën në finale



Sulmuesi i talentuar, Sokol Cikalleshi, me golin e tij të artë në fitoren 1-0 kundër Shkumbinit në Peqin, i siguroi Besës kualifikimin për herë të 8-të në finalet e Kupës së Shqipërisë, teksa kavajasit do të diskutojnë për herë të tretë trofeun me Vllazninë, pas dy të parave të humbura në vitin 1972 dhe 1981.
Në një atmosferë të zjarrtë në fushën e Peqinit, në praninë e një numri rekord shikuesish, mbi 10 mijë, 3 mijë prej të cilëve nga Kavaja, në të cilën nuk munguan edhe incidentet (Fagu i Besës u dëmtua pas hedhjes së shashkave dhe sendeve të forta nga tifozët peqinas), Shkumbini hodhi poshtë një mundësi të jashtëzakonshme për të shkruar emrin e tij në historinë e finaleve të Kupës së Shqipërisë. Pas barazimit 1-1 shpresëdhënës në Kavajë dy javë më parë, skuadra peqinase ishte e kualifikuar deri në minutën e 70-të, kur sulmuesi i Besës dhe i Shpresës, 19-vjeçari Sokol Cikalleshi, i cili kishte shënuar edhe në fitoren 2-1 të kavajasve në Peqin në fazën e parë të kampionatit, jo vetëm që realizoi golin e vetëm të ndeshjes, por nxori jashtë loje peqinasit. Njëzet e katër minutat (përfshirë dhe shtesat) u shndërruan një ferr të vërtetë për skuadrën e Përparim Daiut, pavarësisht se nga minuta e 80-të, Besa luajti me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të autorit të golit, Sokol Cikalleshit. Gjithsesi, pas një penalltie të pretenduar nga Shkumbini e të pa dhënë nga gjyqtari ndërkombëtar Albano Janku, situata u ndërlikua në ekstrem, e që pas fërshëllimës përfundimtare të bilbilit të FIFA-s, tifozeria shkatërroi plotësisht rrjetën e njërës prej portave. Besa, që u rikthye për herë të tetë në një finale e që ka fituar vetëm një herë, atë në edicionin 2006-2007 ndaj Teutës, skuadrës së eliminuar nga kundërshtari i saj i 9 majit, Vllaznia, synon ta riçojë për herë të dytë në Kavajë trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend nga një “Qemal Stafa”, ku për herë ta parë e të vetme “kupën me veshë” e kishte ngritur ish-kapiteni i saj, Parid Xhihani, një trofe i dorëzuar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, një tifoz i deklaruar i kavajasve.

RRUGA E BESES
Në rrugën drejt finales, Besa eliminoi në turin e parë Pogradecin e Kategorisë së Parë me dy fitore të ngushta: 3-2 në Pogradec dhe 1-0 në Kavajë. Në turin e dytë eliminoi Laçin: fitoi 0-1 në takimin e luajtur në Lezhë dhe barazoi 1-1 në ndeshjen e kthimit në Kavajë. Në turin e tretë, çerekfinalet, Besa eliminoi Tiranën: fitoi 2-0 në Kavajë dhe humbi 4-2 në kryeqytet, duke mbërritur në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale eliminoi Shkumbinin: barazoi 1-1 në Kavajë dhe fitoi 1-0 ndeshjen e kthimit në Peqin.

BESA
Pjesëmarrëse: në 52 edicione
Në çerekfinale: 22 herë
Në gjysmëfinale: 11 herë
Në finale: 8 herë
Fituese: 1 herë

Vllaznia “djeg” Teutën dhe gjen Beswn

Haxhibuliç dhe Smajli i siguruan për herë të 13-të Vllaznisë një vend në finalet e Kupës

Me dy gola në harkun e pesë minutave në pjesën e dytë, sulmuesit boshnjak Sead Haxhibuliç (72’) dhe mbrojtësit lezhjan Dritan Smajli (77’), Vllaznia bëri ta pavlefshme fitoren 1-0 të Teutës në Durrës, duke siguruar për herë të 13-të një vend në finalet e e Kupës së Shqipërisë e ku në finalen e 9 majit do të gjejë Besën. Vllaznia e ka fituar gjashtë herë Kupën e Shqipërisë (e fundit në vitin 2008) dhe Besa një herë (2007). Edhe në “Loro Boriçi”, ashtu si në Peqin, tifozeria ishte e shumtë, por ndryshe nga ajo që ndodhi në Shkumbini-Besa, ku ultrasit peqinas ndikuan në pezullimin e përkohshëm të lojës, në Shkodër ishte një konfrontim midis lojtarëve të dy ekipeve ata që detyruan gjyqtarin Lorenc Jemini ta ndërpriste atë për disa minuta.
Teuta rezistoi për 72 minuta derisa pas një asisti të mbrojtësit Smajli, sulmuesi boshnjak i huazuar nga Apolonia, Sead Haxhibuliç të shpërblente me golin e tij pagesën e lartë që merr te Vllaznia. Pas vetëm pesë minutash, ishte lezhjani Smajli, më i miri në fushë që me golin e tij i çoi shifrat e përgjithshme në 2-1 e që përveçse sollën kualifikimin e Vllaznisë, çuan në xhepat e futbollistëve edhe shumën prej 10 mijë dollarësh të vendosura si premio nga presidenti i klubit, Valter Fushaj. Për herë të fundit, Vllaznia e ka fituar Kupën e Shqipërisë në edicionin 2007-2008, kur mposhti 2-0 Tiranën në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, ndërkohë që ndaj Besës, ndaj të cilës ka siguruar dy (1972, 1981) nga gjashtë kupat e fituara në 12 finale të luajtura, skuadra shkodrane jo vetëm kërkon trofeun, por dhe një vend në Ligën e Europës, ku merr pjesë rregullisht në dhjetë vitet e fundit. Duke parë statistikat e përballjeve në finale midis Vllaznisë e Besës, shkodranët janë fitues në edicionet 1971-1972 dhe 1980-1981, e natyrshëm që kanë si objektiv për ta bërë “tris” ndaj kavajasve.

BESA-VLLAZNIA
DY FINALET E MËPARSHME

1971-1972: Besa-Vllaznia 0-2, 3-4
1980-1981: Vllaznia-Besa 5-1, 1-2

RRUGA E VLLAZNISE

Në turin e parë, Vllaznia eliminoi Tomorin e Beratit: fitoi 4-0 në Berat dhe 5-1 në Shkodër. Në turin e dytë eliminoi Kamzën: fitoi 3-1 në Kamzë dhe barazoi 2-2 në “Loro Boriçi”. Në ndeshjen e parë të turit të tretë Vllaznia barazoi 0-0 Skënderbeun në Korçë, ndërkohë që në atë të kthimit fitoi thellësisht 4-0 në “Loro Boriçi”. Në gjysmëfinale, Vllaznia eliminoi Teutën: humbi 1-0 takimin e parë në Durrës dhe fitoi 2-0 ndeshjen e kthimit në Shkodër.

VLLAZNIA
Pjesëmarrëse: në 57 edicione
Në çerekfinale: 46 herë
Në gjysmëfinale: 28 herë
Në finale: 13 herë
Fituese: 6 herë

8 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›