E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbreti i çmendur në Teatrin e Metropolit

Shfaqja Vepra do të ngjitet në skenë në datat 17 dhe 18 qershor, në arenën e cirkut

“Mbreti i çmendur”, do të jetë kjo shfaqja më e re që do të vihet në skenën e Teatrit të Metropolit në datat 17 dhe 18 qershor. Kompania franceze, "Les Zinzins", do të sjellë për publikun shqiptar një performancë të teatrit të hijeve me elemente të projeksionit kinematografik, ku ndërthuret muzika dhe baleti. “Mbreti i çmendur”, shkruar nga Marcel Morize, do të interpretohet në dy gjuhë, në shqip e frëngjisht. Ajo do të vijë nën drejtimin regjisorial të Joaquim Briand, ku do të interpretojnë aktorët Marcel Morize, Eglantina Haxhi dhe Lojo Morize. Projeksioni kinematografik i është besuar Elton Muçës. Në këtë projekt eksperimentohet nëpërmjet poezisë, teatrit të hijeve, projeksioneve kinematografike, muzikës dhe kërcimit. Ideja kryesore është që të prezantohen histori që janë të “jashtëzakonshme” për këdo. Gjithmonë vihen në pyetje vlerat me të cilat jetojmë, të eksplorohen dhe të kuptohen ndryshimet, keqkuptimet, transformimet dhe ndarja e këtyre vlerave. Kështu gjendemi përballë situatave që vetë ne i krijojmë e që shpesh janë komike, argëtuese, po aq sa edhe dramatike. Janë histori që u referohen vështirësive tona në një kohë që tema mund të jetë e ndryshme. Në rastin e “Mbretit të çmendur” do të prezantohet një temë që ka të bëjë me fëmijërinë, autonominë, zbulimin e gjesteve të thjeshta dhe mbi të gjitha me temën e mekanizimit apo të dehumanizimit që mund të sjellë organizimi i jetës sociale në një shoqëri. “Mbreti i çmendur” është një shfaqje që i referohet publikut të të gjitha moshave. Kompania “Les Zinzins” ka zgjedhur pikërisht Shqipërinë, pasi sipas organizatorëve është një vend me një histori shumë komplekse, sidomos nëse u referohemi këtyre 20 viteve të fundit. Hapja me botën perëndimore dhe me ekonominë kapitaliste e ndryshoi thellësisht edhe kulturën që deri në atë moment ishte e formatuar fort mbi nevojat bazë. Sot ka shumë shqiptarë që kanë emigruar nëpër botë dhe kanë sjellë mjaft vlera të kulturave me të cilat kanë rënë në kontakt. Por qëllimi kryesor i kësaj shfaqjeje është shkëmbimi kulturor, hapja ndaj formave të reja interpretative, si dhe argëtimi i publikut.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›