Të mos bëjmë katrahurë me Qendrën e Artit
Ministria e Kulturës do të bëjë politikë kombëtare dhe kjo fjalë, kombëtare, nuk përmendet në amendamente. çështja e krijimtarisë kombëtare, ç’qëllim do të kemi ndaj saj? Nëse kjo do t’i lihet në dorë Qendrës Kombëtare të Artit, nuk ka për t’u realizuar. Politikën e shtetit e bën ministria dhe jo qendra. Kjo e fundit zbaton. Pak e çuditshme më duket që në këtë projektligj përfshihet gjithçka që ka të bëjë me fushën e artit dhe kulturës, me përjashtim të kinematografisë. Ajo ka një qendër të vetën, një buxhet të vetin të shkëputur nga Ministria e Kulturës. Megjithatë, unë përshëndes për këto vendime shumë të rëndësishme që po merr shteti shqiptar jo vetëm krijimin e Teatrit të Komedisë, por edhe të Cirkut. Por përshëndes sidomos atë 30 përqindëshin në projektligj që u referohet pushteteve vendore. Ky është thelbi për mendimin tim. Unë flas për sferën e teatrit, sepse gjithmonë na ka shqetësuar një fat i keq gjatë këtyre 20 vjetëve, që ka të bëjë me shthurjen e sistemit teatror shqiptar. Teatrot e rretheve nuk funksionojnë. Për këtë ne jemi munduar shumë gjatë këtyre kohëve, ndaj edhe nuk na kanë pëlqyer ligjet e mëparshme. Asnjëri prej tyre nuk u zbatua ndonjëherë. Vështirësia më e madhe, sipas meje, tani ka për të qenë në shumësinë e krijimtarive, piktura, muzika, cirku, teatri dramatik... strukturimi i tyre në Qendrën e Artit do të kërkojë një punë shumë të madhe. Gjithçka duhet përcaktuar me kujdes, që të mos bëhet katrahurë.
#