E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet të stimulojmë agjencitë e veçanta

Zhani Ciko

Krijimi i Teatrit të Komedisë dhe i Cirkut Kombëtar është një lajm shumë i gëzuar, sepse publiku është i gjithanshëm. Me këtë ligj, ministria po shkon drejt vendosjes së ekuilibrave që po e bën edhe me hartimin e politikës kulturore. Diskutimin e këtyre ditëve për stabilizimin e një politike kulturore kombëtare e shoh si një pjesë të legjitimuar në këtë hap të rëndësishëm, që do të çeli një perspektivë drejt zbatimit të politikave të sanksionuara në mënyrë ligjore. Ky ligj bazohet mbi suksesin e ligjit për artin skenik. Unë jam për një qendër arti, nuk jam për një agjenci. Kjo e fundit do të krijojë probleme të cilat nuk e presupozojnë zbatimin e politikës kulturore që ka dikasteri në vetvete dhe me të cilin do të merret. Jam për një qendër arti paralele, siç janë institucionet kombëtare të artit dhe pastaj ato lokale që përfshihen në art. Krahas kësaj mund të shihet edhe stimulimi i agjencive të veçanta për vokalin, për jetën teatrore, etj., të cilët veprojnë mbi bazën e menaxhimit, siç e ka e gjithë bota dhe është një mangësi e mënyrës së menaxhimit te ne. Ndërkaq, lidhur me ndryshimet e VKM-së për shpërblimet e cilësisë, mendoj se edhe ky është një dokument serioz dhe sheh në perspektivë, pasi presupozon edhe vënien e disa buxheteve shtesë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›