E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbrohen hermetikisht

Të hënën, nën masa të rrepta sigurie, në orën 11:30 në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, kanë mbërritur dy shpatat - njëra prej të cilave ceremoniale - përkrenarja, një portret gravurë i Skënderbeut, si dhe pjesët e një kodeksi.

Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, të gjitha gjësendet e Skënderbeut që do të ekspozohen në muze nga Austria kanë ardhur të mbyllura hermetikisht.

“Ajo që garantojmë ne është siguria e tyre gjatë ditëve të ekspozimit në Muzeun Historik Kombëtar”, thekson drejtori Luan Malltezi.

Muzeu Historik Kombëtar ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme, e cila këtyre ditëve ka marrë përsipër përgjegjësinë e ruajtjes së objekteve të rëndësishme të historisë shqiptare, që janë pronë e vendeve tjera, por që po ekspozohen për herë të parë në Shqipëri në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kështu, përveç ruajtjes 24-orëshe dhe patrullimit të herëpashershëm në zonën ku do të ekspozohen përkrenarja dhe shpatat e Skënderbeut, forcat speciale të Ministrisë së Brendshme ka ditë që po e ruajnë edhe “Mesharin” e Gjon Buzukut, i cili ka mbërritur në Tiranë një javë më parë.

Gjësendet e Skënderbeut do të ekspozohen në Pavijonin e Mesjetës, që ndodhet në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar. Në këtë pavijon janë vendosur edhe kamerat e sigurisë, të cilat vëzhgojnë lëvizjet për 24 orë. Njëra nga to është vendosur dhe në vendin ku do të ekspozohen përkrenarja dhe shpata e heroit kombëtar.

“Por secili pavijon i muzeut është i kontrolluar edhe nga mjetet që i kemi ne. Ka një sistem sinjalizues i sigurimit, që reagon ndaj çdolloj ndërhyrjeje të brendshme në muze, në kohën kur aty nuk ka punonjës. Gjithashtu, ne kemi instaluar edhe kamerat që do të vëzhgojnë pavijonin ku do të vendosen armët e Skënderbeut”, sqaroi për revistën ‘Mapo’, drejtori i muzeut, Luan Malltezi. Një mbrojtje e tillë e objekteve të ekspozuara do të vazhdojë gjatë tri javëve të ekspozimit të tyre në Tiranë.

Ndryshe, ardhja e objekteve të heroit kombëtar në Shqipëri shtetit (i cili është mbështetur edhe nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve dhe nga Sigal Unika Austria) i ka kushtuar 100,000 dollarë. Pesha e përkrenares së Skënderbeut është 3 kilogramë. Syve të dhisë, që e zbukurojnë përkrenaren, u mungojnë gurët e çmuar, kështu që në të vërehen qartë vendet bosh. Shpata e Skënderbeut ka një gjatësi prej 85.5 centimetrash, dhe një gjerësi 5.7 centimetra. Kjo është shpata me trup të drejtë e heroit tonë kombëtar. Pesha e saj është 1.3 kilogram. Nga ana tjetër, shpatat tjetër e Skënderbeut, e cila ka një formë harkore, ka një gjatësi prej 121 centimetrash dhe peshon 3.2 kilogram.

Ekspozita e gjësendeve personale të Skënderbeut do të hapet për publikun më 22 nëntor, dhe do të qëndrojë e hapur deri më 13 janar të vitit 2013. Pas kësaj ato do t’i kthehen sërish Muzeut të Historisë dhe Artit në Vjenë.

Sqarimet e Frashrit

Sipas historianit, Kristo Frashri, përkrenarja e Skënderbeut është e punuar në metal të bardhë, dhe është e zbukuruar me një rrip të larë në ari.

Në majë të saj është e vendosur një kokë dhie me brirë, e punuar në bronz, dhe po ashtu e larë në ari. Në pjesën e poshtme të saj, rreth e rrotull ka një rrip bakri, me një mbishkrim prej gjashtë rrokjesh, të ndara mes tyre me rozeta, ku shkruan: IM*PE*RA*TO*RE*BT; që do të thotë: (Jezui i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanlinjve, Mbret i Epirit).

Gjithashtu, sipas Frashrit, ky rrip nga bakri me këto gjashtë monograme në përkrenare është vendosur më vonë, nga pasardhësit e Skënderbeut, meqenëse ai nuk kishte mbajtur asnjërin prej këtyre titujve, përveç atij “zot i Shqipërisë” (Dominus Albanie).

Nga ana tjetër, shpata me trup të drejtë, e cila së bashku me përkrenaren ndodhej në Muzeun e Ambrasit, i ka dy tehe. Trupin e ka të larë me ari. Është e gjatë 85.5, e gjerë 5.7 centimetra, dhe peshon 1,3 kilogram.

Në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine, respektivisht këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”.

Shpata tjetër, në formë harkore, është 121 centimetra e gjatë dhe peshon 3,2 kilogram. Shpata është e zbukuruar me ar dhe ka një dorezë prej lëkure.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›