Mbrojeni perspektivën evropiane
Senatori republikan amerikan, Mark Kirk, dhe kongresmeni demokrat, Eliot Engel, kanë shprehur “keqardhje të thellë për ngjarjet e tmerrshme të 21 janarit”, dhe kanë ngushëlluar familjet e viktimave të ngjarjeve në Shqipëri.
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, Engel dhe Kirk e theksojnë “mbështetjen e tyre të fuqishme për Shqipërinë, për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”, duke apostrofuar se "janë thellësisht të tronditur me trazira aktuale politike”.
“Një hetim i besueshëm dhe i pavarur për ngjarjet e 21 janarit është absolutisht i nevojshëm, ashtu që populli i Shqipërisë të ketë besim se mund të arrihet zgjidhja e trazirave politike”, thuhet në deklaratë.
Senatori Kirk dhe kongresisti Engel, po ashtu thonë se “i mbështesim fuqishëm institucionet kushtetuese të Shqipërisë, të cilat do ta bëjnë këtë hetim”.
“Ne e mirëpresin kërkesën për ndihmë teknike nga Shtetet e Bashkuara, për t’i shtuar kështu kapacitetet hetuese dhe për të forcuar besimin në pavarësinë e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”, thonë Kirk dhe Engel.
Në vazhdim të deklaratës së tyre, dy politikanët amerikanë theksojnë se “Shqipëria është një demokraci që duhet të mbrojë perspektivën e saj evropiane, prandaj të gjitha institucionet demokratike duhet të jenë të lira për të kryer punën e tyre”.
Në deklaratën e përbashkët tutje nënvizohet edhe ajo se “retorika politike në Shqipëri thjesht është shumë e zëshme, por janë partitë politike ato që duhet të gjejnë mënyrën e daljes nga moçali ky kanë hyrë”.
Në këtë kontekst, Kirk dhe Engel iu bëjnë thirrje liderëve shqiptarë për t’i zbusin fjalët e ashpra dhe për të ulur temperaturën politike, në mënyrë që të mund të vazhdohet me një dialog efektiv, për gjetjen e daljes nga kjo krizë”.
Për më tepër, dhe megjithëse e mbështesin plotësisht të drejtën e fjalës së lirë dhe të tubimit, sipas senatorit Kirk dhe kongresistit Engel, synimi për uljen e emocioneve dhe tensioneve të larta do të arrihej më efektshëm po qe se tubimet masive dhe ngjarjet politike do të suspendoheshin derisa të rivendoset qetësia në vend.