Panairi i librit udhëton drejt Vlorës
Pas Ulqinit botuesit, bashkë me librat e tyre do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku në periudhën nga 12 – 18 gusht do të ekspozojnë botimet e tyre për 7 mbrëmje rresht në shëtitoren e Skelës, pranë Lulishtes simbolike të Shkrimtarëve. Rreth 50 botues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, 5000 tituj të ekspozuar, nga të cilët rreth 600 të rinj, një numër i madh krijuesish të njohur e të rinj, vlonjatë dhe nga e gjithë bota shqiptare, janë disa nga treguesit e këtij panairi, i cili do të mbahet për të njëmbëdhjetën herë në kryeqytetin e turizmit shqiptar. Vlora është i vetmi qytet në botës shqiptare që organizon dy panaire libri gjatë një viti. Një në pranverë, gjatë sezonit shkollor, dhe është ndjekur me interesim mjaft të madh nga lexuesit vlonjatë, dhe tjetri gjatë stinës së verës, ku numri i banorëve të Vlorës trefishohet me pushues shqiptarë e të huaj. Për këtë (dhe jo vetëm) Vlora ka fituar statusin e qytetit ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës. Në këtë edicion të 11-të libri nuk u ofrohet vetëm vlonjatëve, por edhe pushuesve të shumtë nga gjithë Shqipëria, dyndjes nga Kosova e Maqedonia, si asnjëherë tjetër, por edhe emigrantëve të shumtë që kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre në këtë muaj pushimesh nga puna e tyre në Itali, Greqi e gjetkë. Të ftuar të veçantë në ceremoninë e çeljes të këtij edicioni do të jenë edhe akademiku Arben Puto, si dhe z. Bajram Kosumi, ish-kryeministër i Kosovës, aktualisht deputetet në Parlamentin e Kosovës, si dhe autor i shumë librave të botuara në Shqipëri. Me këto personalitete gjatë ditëve të panairit do të organizohen takime dhe promovime të librave.