E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, Kombëtarja pa fushë stërvitje



Qesharake po aq edhe tragjike. Kombëtarja shqiptare dje ka mbetur për më shumë se një orë duke pritur për një fushë stërvitjeje. Autobusi i nisur nga hotel “Tirana Internacional” me lojtarët e ekipit përfaqësues ka udhëtuar kot nëpër Tiranë me “shpresën” e një fushe të lirë. Në fillim kuqezinjtë i janë drejtuar stadiumit “Selman Stërmasi” për të zhvilluar atje një seancë stërvitore, por aty kanë gjetur kundërshtarët e tyre të radhës, ekipin përfaqësues të Uzbekistanit, i cili sipas programit të dhënë nga Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillonte stërvitjen dje në këtë impiant. Më pas, Kombëtarja është larguar në drejtim të fushës stërvitore “Skënder Halili” në Qytet të Nxënësve, ku zakonisht kryen seancat stërvitore skuadra e Tiranës. Pikërisht, në orarin e kërkuar nga Kombëtarja në këtë fushë ka qenë edhe klubi bardheblu, ndaj kuqezinjve u është dashur që të presin në fushën përbri, aty ku stërviten “çunakët” e Tiranës derisa skuadra e drejtuar nga Starova zbrazi “Skënder Halilin”, duke ia lënë Kombëtares. Faktikisht Federata i kishte bërë kërkesë klubit të Tiranës që dy javë më parë se në datën e djeshme do të bënte stërvitje në fushën e “Skënder Halilit”, por si duket, te klubi bardheblu nuk është se e kanë marrë shumë seriozisht Kombëtaren. Kjo nuk është hera e parë që kuqezinjtë rropaten për një fushë stërvitje. Para ndeshjes me Suedinë në vitin 2008 kur Kombëtarja drejtohej nga Ari Han, kuqezinjve nuk iu lejua që të bënin stërvitje në stadiumin e Shijakut. Drejtuesit vendorë u patën mbyllur dyert duke e lënë jashtë kangjellave Kombëtaren.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›