E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mihalis Hatzigiannis,koncert mbi rërë



SARANDE: Këngëtari i shquar grek, Mihalis Hatzigiannis, ka prekur mbrëmjen e së dielës skenën dhe ka mrekulluar me zërin e tij spektatorin e diskotekës më të preferuar të Sarandës. Koncerti live i këngëtarit grek, Hatzigiannis, kantautorit të ri dhe shumë të preferuar të moshës rinore, është pritur dhe është ndjekur me shumë interes dhe entuziazëm nga disa mijëra fansa të tij në Sarandë, por edhe nga pushues të këtij turi veror në këtë qytet, që thuhet se ka qenë një shifër rekord, rreth 3 mijë vetë. Interesant ka qenë edhe fakti që skena e koncertit të këngëtarit të madh është transferuar nga mjediset e zakonshme të diskotekës dhe është ngritur mbi rërën e buzëdetit të “Mango Beach”. Me zërin e tij magjik, Hatzigiannis elektrizoi publikun sarandjot, ndërkohë që në pauzat nga kënga në kënga ai falënderonte për pritjen e rezervuar në Sarandë, e cila ka qenë gati befasuese për të. Pas koncertit të së dielës në Sarandë, këngëtari grek është larguar drejt Athinës, ku e pret një recital i madh veror. Sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›