Mbrojtja e Andi Tomës: Hetimet të pavlefshme
TIRANE- Mbrojtësi ligjor i ish –drejtori juridik në ministrinë e Transporteve, Andi Toma i akuzuar për abuzime në ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës kërkon pavlefshëri të procedurës hetimore ndaj klientit të tij.
Në këtë dosje është i pandehur edhe ministri i Jashtëm Lulzin Basha. Ai akuzohet për keqpërdorim të fondeve për ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës, në kohën kur drejtonte ministrinë e Transporteve. Avokati Genc Gjokutaj i paraqiti sot Prokurores së Përgjithshme Ina Rama një deklaratë memorie ku bën të ditur mospjesëmarrjen e mbrojtjes në kryerjen e veprimeve proceduriale, të cilat janë jashtë afateve hetimore të çështjes, që u ndërprenë pak ditë më parë me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
"Veprimet e Prokurorisë janë jashtë afatit ligjor", tha për mediat avokati Genc Gjokutaj duke konfirmuar se nuk kishte firmosur asnjë dokument për njohjen me materialet proceduriale të prokurorisë në ngarkim të të pandehurit Andi Toma.
Sipas prokurorisë dëmi i shkaktuar shtetit kap shifrën 232 milionë euro. Kryeprokurorja deklaroi se do të dorëzonte dosjen në Gjykatën e Lartë brenda 6 dhjetorit.
(s.g/BalkanWeb)