E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrojtja e konsumatorit, ja si ministritë shmangin përgjegjësinë për parandalimin e sëmundjeve

15 Marsi, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Konsumatorit
Në të gjithë botën, 15 Marsi njihet si Dita e të Drejtave të Konsumatorit. Por nëse kudo, konsumatori mund të ketë të drejta, ashtu siç nuk i mungojnë dhe detyrimet, në vendin tonë, ai nuk e ka as njërën as tjetrën. Realiteti tregon se konsumatori shqiptar nuk kujdeset ashtu siç duhet për veten, por realiteti tregon se as instancat shterpore përgjegjëse nuk e bëjnë një gjë të tillë kundrejt konsumatorit, edhe pse ky i fundit i mban në këmbë, me taksat që i paguan. 
     Fushata globale e konsumatorit botëror për këtë vit, me rastin e 15 marsit, Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorëve është detyrë e përgjegjësi për të gjithë, kundrejt masave që duhet të merren për parandalimin e obezitetit nga fast-foodet, ëmbëlsirat, të kripurat si dhe pasojat nga dioksina, të pasqyruara në Kodin Ndërkombëtar të Ushqimeve të pashëndetshme tek fëmijët për vitin 2009. Por megjithëse Shoqata e Konsumatorit Shqiptar ua sugjeroi këto kërkesa disa prej ministrive që janë më afër konsumatorit, ato bënë shumë pak për të mos thënë aspak në këtë drejtim. SHKSH bëri të ditur në një njoftim për shtyp, se vitin e kaluar, si organizatë e pavarur e angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve me misionin e informimit, këshillimit, gjithnjë duke kërkuar bashkëpunimin me organet shtetërore, i ofroi informacion Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Ministrisë së Financave. Kjo shoqatë paraqiti një studim në kushtet e mundshme të një shoqate, duke u bazuar në vrojtimin, opinionet, testimet në treg, konsulta me drejtues të degëve nga ku rezultoi se në vendin tonë në total janë 176.000 obezë, ku 85.000 persona i përkasin moshës 40-60 vjeç, 52.000 moshës 25- 40 vjeç, 18.000 janë të moshës 5- 16 vjeç, ndërsa 2 000 i përkasin moshës  0- 5  vjeç. Por sipas shoqatës, përgjigja e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ndër të tjera thoshte se "mund të prononcohemi për adoptimin e këtij kodi". Sipas shoqatës, nga ajo përgjigje u mbush viti dhe nuk dihet asgjë se çfarë është bërë. Po ashtu nga ky institucion u tha se është METE, mbikëqyrëse e tregut, duke i mënjanuar përgjegjësitë e saj në prodhim dhe treg. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë, megjithëse kishte ftesë për të dëgjuar dhe reflektuar mbi kodin e marketingut në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë me 19-24 maj  2008, ajo nuk ka dhënë asnjë informacion, nëse mori pjesë, apo çfarë detyrash dolën, si mund të bashkëpunohej. Po ashtu edhe Ministria e Mjedisit, këtë ndotje, siç është dioksina tek fast foodet, të përfituara nga produktet e skuqura, me sa duket nuk i shqetëson ky problem, ku gjithashtu asnjëherë në gjuhën e tyre nuk përmendin klimën dhe mikroklimën mjedisore, në shkolla, në institucione ku prodhohen dhe tregtohet etj. Pra kjo ministri, për fat të keq bashkëpunimit me shoqatën e konsumatorit i ka hequr vizë. Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, megjithëse është prodhuesja e ligjit Për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe kupola për të kërkuar zbatimin e tij në shkresën nr/prot 1677, datë, 1.4.2008, ka theksuar për Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar se ky problem i takon MBUMK, dhe Ministrisë së Shëndetësisë, pra e ka mënjanuar veten nga çdo përgjegjësi dhe mesa duket  e ka harruar detyrën e saj si mbikëqyrëse dhe për të ushtruar të drejtën se si po mbrohen të drejtat e konsumatorëve.
Kodi Ndërkombëtar
Për problemin e ushqimeve të fëmijëve (fast-foodet), të cilët për rëndësinë që kanë, Organizata Botërore e Konsumatorit miratoi një Kod Ndërkombëtar për ndalimin e marketingut të ushqimeve të pashëndetshme për fëmijët. Ky informacion është një detyrë dhe përgjegjësi që duhet të kishte çdo vend i botës ku përfshihemi edhe ne, për të marrë masat për parandalimin e këtij rreziku tek fëmijët siç janë: obeziteti (mbipesha), diabeti, tensioni i gjakut dhe sëmundjet e zemrës. Ky kod ndërkombëtar mbi marketingun e produkteve të pashëndetshme tek fëmijët synon: Mbrojtjen e konsumatorëve më vulnerabël nga shfrytëzimi dhe manipulimi nëpërmjet reklamave; Parandalimin e trajtimit të diferencuar të fëmijëve në vende të ndryshme për shkak të variacioneve në legjislacionet kombëtare; Ndihmën për tu siguruar që mesazhet pozitive mbi rëndësinë e një diete të shëndetshme nuk minohen nga promocionet komerciale. Disa nga masat e përgjithshme parandaluese janë; Ndalimi i reklamave në televizion, radio nga ora 06:00- 17:00; Mospërdorimi i mediave të reja (web, ne rrjete shoqërore etj). Mos promovimi i këtyre ushqimeve nëpër shkolla. Nuk duhet që të përfshihen në to dhurata, lodra, ose mjete të tjera të cilat nxisin fëmijët drejt konsumimit të tyre. Mos përdorimi i personazheve të famshëm, ose personazheve vizatimorë, për promovimin e këtyre ushqimeve; Forcimi i masave edukuese dhe të ndërgjegjësimit treg- konsumator; Forcimi i mbikëqyrjes së tregut në veçanti për atë ushqimor, domosdoshmëri kjo për vendin tonë etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›