Mbrojtja e mjedisit, Berisha takim me Prefektët

Kryeministri Berisha do të mbledhë në një takim, në kryeministri, Prefektet e vendit dhe Kryetaret e Qarqeve. Takimin e paralajmëroi ditën e djeshme vetë kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë ku theksoi se në qëndër të takimit do të jetë edhe përcaktimi i vendeve të depozitimit të mbetjeve.
“Unë do të takohem me prefektët e vendit, autoritetet e ministrisë së mjedisit për të ndërmarrë një seri hapash të reja në përcaktimin e vendeve të depozitimit të mbetjeve. Janë gjithashtu në ndërtim e sipër një seri “landfill”-esh dhe impiantesh të përpunimit të ujërave të zeza, punime të cilat duhet të përshpejtohen” deklaroi dje kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha propozoi që data 20 prill të shpallet si dita e “Shqipërisë së Pastër “ ku në çdo skaj të vendit, qytetarët do të angazhohen në pastrimin e mjedisit ku ata jetojnë. “Ministria e Mjedisit të marrë të gjitha masat, të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve. Administrata, shkollat, institucionet, kolektivat, komunitetet, në mbarë vendin do të angazhohen këtë ditë, për mjedisin”, u shpreh ai.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se roli i autoriteteve vendore është i pazëvendësueshëm, kryesor në mbrojtjen dhe në zhvillimin e mjedisit.