E Hënë, 2 Nëntor 2026

Janë 9 103 km rrugë që qeveria ka ndërtuar gjatë 6 viteve të fundit

30-03-2012 / Gazeta 55

Ministria e Punëve Publike përgënjeshtron kryesocialistin për ndërtimin e rrugëve në vend

Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi i ka cilësuar spekulime dhe të pabaza deklaratat e kreut të selisë rozë, Edi Rama dy ditë më parë, përsa i përket planit infrastrukturor në vend. Kreu i transporteve tha se gjatë këtyre viteve është punuar në bazë të një plani kombëtar për infrastrukturën. Plan ky i cili sipas tij ka qenë i detajuar për të gjitha investimet. “Partia Socialiste organizoi të mërkurën një tryezë për gjoja çështjen e Infrastrukturës Rrugore. Dhe, në fakt, ndërsa po përpiqesha të kuptoja se çfarë përbënte kjo tryezë, komentin më përmbledhës, më lakonik dhe më inteligjent ma dërgoi dikush me mesazh. Mesazhi ishte, ‘Flasin për rrugët, jo se marrin vesh nga rrugët! Flasin për rrugët sepse janë rrugaçë politikë’. Edi Rama doli dje dhe tha disa gjëra absolutisht të pavërteta të cilat unë do t’i rrëzoj sot të gjitha një nga një dhe jo me llafe, por me shifra, lehtësisht të verifikueshme nga të gjithë. Rama tha se rrugët bëhen pa plan. Në 2006-ën është miratuar plani kombëtar i transportit që ka një analizë të zhvillimit ekonomik, analizën e trafikut të mallrave dhe të njerëzve dhe detajimin e infrastrukturës rrugore. Ky plan është financuar nga KE-ja të dhëna për qeverinë shqiptare dhe gjithashtu kemi nënshkruar memorandumin për transportin”, u shpreh Olldashi.
Po ashtu kreu i transporteve tha se kreu socialist duke iu referuar kilometrave të rrugëve të ndërtuara, i ka pjesëtar me 10 atë që është realizuar nga qeveria e djathtë që prej vitit 2005. Ndërsa për sa i përket standardeve në rrugë Olldashi tha se është punuar në ndërtimin e akseve rrugore duke adoptuar standardet italiane të rrugëve.
“Rama i pjesëtoi me dhjetë km e rrugëve por në fakt do t`ju japë statistikën reale dhe janë 270 miliardë lekë të reja të investuara përmes drejtorisë së përgjithshme të rrugëve dhe janë 2056 km rrugë të ndërtuara ose 70 për qind e rrjetit rrugor. Kryeministri ka dhënë shifër të pasaktë, ka thënë 9 mijë km, në fakt janë 9 103 km që qeveria e këtij vendi ka bërë rrugë në territorin e Shqipërisë. Shifër që Rama nuk mund t’i pjesëtojë as me dhjetë e as me dymbëdhjetë”, theksoi Olldashi.
Sa i përket numrit të aksidenteve Olldashi tha se gjatë këtyre viteve është rritur numri i kilometrave të rrugëve të ndërtuara por edhe është dyfishuar numri i automjeteve, çka sipas tij krahasimet e bëra nga zoti Rama nuk qëndrojnë.
Në fund të deklaratës së tij, ai dha një mesazh për kryesocialistin: “’Udha është e pafund, as mund t’i heqësh as mund t’i shtosh gjë, por secili e mat me  metrin e vet’. Në këtë rast më vjen keq të them se Edi Rama nuk ka metër apo, nëse kaloj nga Kafka te Vani te ‘Pallati 176’, më duhet të them se Edi Rama ‘nuk është në metro’. Gjejini një metër Edi Ramës”, tha më tej ministri Olldashi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›