E Diel, 1 Nëntor 2026

"Mbrojtje biznesit ndaj vendimeve te padrejta gjyqesore"

TIRANE-Konfindustria ka shprehur sot shqetësim se vendimet të shpeshta të gjyqësorit po cënojnë rëndë barazinë në treg të bizneseve, ndaj për këto arsye ekspertë të fushës do vëzhgojnë e bëjnë publik cdo vendim të gabuar lidhur me to.
Në një njoftim për shtyp, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku bëri me dije se shqetësimi bazohet mbi ankesat e vetë bizneseve, se “ekziston dyshimi, që përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe sidomos të gjyqësorit me vendimet e tyre jo profesionale dhe/ose subjektive po cënojnë rëndë barazinë në treg të bizneseve, duke u perdorur si mjet në duart e njerës palë për të dëmtuar konkurrentet e tyre në treg”.
Sipas Konfindustria, dukuria gjithmonë në rritje, zë vend kryesor sidomos në Tiranë.

Në këto kushte, Konfindustria në bashkëpunim me institucione të specializuara ndërkombëtare të fushës është duke përgatitur një plan veprimi për vëzhgimin dhe vlerësimin profesional të respektimit të proçedurave dhe standarteve ligjore nga vendimet e gjykatave dhe prokurorisë për konkurrueshmërinë e bizneseve.
Dhe në rast se vërtetohen shqetësimet e bizneseve, atëhere këto dokumenta do të përcillën për vlerësim, siguron Konfindustria pikërisht “pranë institucioneve shteterore si Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, etj. si edhe përpara opinionit public. Në të gjitha rastet dokumentacioni do të shoqërohet së bashku me faturën financiare përkatëse të dëmit të shkaktuar bizneseve”.

Në emër të tregut të lirë, Konfindustria shton se “një sistem gjyqësor i korruptuar dhe jo profesional, jo vetëm godet me pasoja të pallogaritshme biznesin dhe efektivitetin e ekonomisë kombëtare në afatgjatë, por njekohësisht në thelbin e tij është varrosës i vetë shtetit demokratik”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›