Mbroni ish- Gjeneralin!
Nga Mero Baze
Ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Luan Hoxha, po hyn në një spirale të rrezikshme, pasi është ripërulur para një grupimi mafioz, të cilin e ka denoncuar vetë në ambasadën amerikane në Tiranë. Deklarata e tij e djeshme, përveçse poshtëron atë si qytetar, ngre pikëpyetje për raportet e tij të ardhshme me njerëzit që e mbajnë nën terror.
Të gjithë pa përjashtim sapo lexuam rrëfimin e tij tek ambasadori amerikan, u ndjemë keq që e kemi pasur Shef të Shtabit të Përgjithshëm një njeri kaq pa dinjitet, i cili përveçse fsheh një krim shtetëror, shpreh dhe një mungesë integriteti si personalitet kur ndjehet i trembur nga djali batakçi i kryeministrit. Pra, nuk është se deklarata e Luan Hoxhës u prit me mirënjohje nga shqiptarët, kur ai në të vërtetë konfirmoi si dëshmitar një fakt që të gjithë shqiptarët e kanë pranuar, faktin që i biri i kryeministrit ishte pronari real i Fabrikës së Gërdecit, ku vdiqën 26 vetë.
Deklarata e djeshme e Luan Hoxhës, që pranon takimin konfidencial, por nuk pranon të ketë thënë pjesën për Shkëlzen Berishën, nuk ngjall më neveri. Kjo kategori estetike u konsumua për ish- gjeneralin qysh kur u botua kabllogrami. Deklarata e djeshme duhet marrë seriozisht si rrezik real për jetën e Luan Hoxhës. Ai po hyn pak a shumë në spiralen që hyri Kosta Trebicka. Në fillim ishte denoncues dhe vuri në lëvizje dhe Neë York Times, shpjegoi qartë se një djalë i ri ishte në praninë e Diverolit dhe dy të tjerëve në një shtëpi diku afër rrugës Fortuzi, ku është apartamenti i vjetër i Sali Berishës, e thoshte dhe nëpër tavolina dhe biseda formale me diplomatë se bëhej fjalë për Shkëlzen Berishën, e citonte të regjistruar dhe Diverolin që thoshte bëhet fjalë për djalin e Sali Berishës, dhe kur gjithë bota e mori vesh pasi u bë publike audioja e regjistruar e tij dhe artikulli i Neë York Times, ai filloi të zbusë tonet për Shkëlzenin. Filloi të thotë diçka më të distancuar, më të mjegullt dhe ndihej më komod si njeri që e kishte trembur Familjen. Hyjnë në këtë mes histori të reja biznesi, Familja i ofroi një universitet ortak me gruan e Ministrit të Brendshëm dhe një deputet socialist, dhe Trebicka po e përmendte gjithnjë e më pak atë histori. Berisha kish dalë publikisht dhe e kishte cilësuar horr prostitutash dhe sharlatan, ndërkohë që ai dukej se po i vinte në terezi punët me pushtetin. Dhe, fare papritur, në një nga javët e para të vjeshtës, dikush e çoi vetëm për gjah dhe u gjet i vetëvrarë në një skenë ekselente krimi, këqyrur nga tre njerëzit më të afërt të Sali Berishës në polici kriminale, mjekësi ligjore dhe prokurori. Sapo vdiq, Berisha doli publikisht dhe e lavdëroi. Tha se ishte njeri serioz dhe se para vdekjes e mohoi përfshirjen e djalit të tij në trafikun e armëve. Është zakon i përjetshëm i Sali Berishës për të fyer të gjallët e vet dhe për të mbrojtur të vrarët e vet.
Luan Hoxha është tashmë në këtë situatë. Nuk di çfarë i ka ofruar Familja, por dyshimi im është se thjeshtë ka vazhduar ta trembë për ti marrë një deklaratë, të cilën nuk e di pse e duan. Asnjë shqiptar, asnjë amerikan, asnjë agjenci zbulimi, asnjë gazetë e madhe apo e vogël në botë, nuk ka vënë në dyshim përmbajtjen e kabllogrameve, por kanë debatuar rreth pasojave të tyre. Deri më sot dy vetë i kanë vënë në dyshim ato, Sokol Olldashi dhe Luan Hoxha, i pari nga paranojat se ja kanë bërë dosjen shokët, i dyti nga frika e hakmarrjes së Familjes. Kjo e dyta në të vërtetë fillon tani. Tani Gjenerali është një fshehës zyrtar i krimit nën diktatin e frikës dhe një njeri që nuk i beson më askush. Familja nuk i beson se e ka shitur tek ambasada amerikane, ne nuk i besojmë se kemi parë një Luan me zemër lepuri, që nuk guxon të kundërshtojë as djalin e kryeministrit dhe nuk guxon as ta denoncojë atë, shoqëria nuk i beson se sheh çdo ditë degradimin e një njeriu nën pushtetin e frikës së Familjes. Duke qenë një njeri që nuk i beson askush, dhe një dëshmitar i rrezikshëm për Familjen nesër, kur njerëzit të jenë të lirë dhe frika të ketë ikur, ai është potencialisht një njeri i rrezikuar seriozisht. Nëse ka një mënyrë që njeriu të vërë jetën në rrezik në një regjim mafioz është të thuash gjysmë të vërteta që rrëfejnë zyrtarët tanë. Luan Hoxha nuk po sillet as si Fatmir Mediu që mbyll gojën dhe nuk thotë asgjë për Shkëlzenin, as si ne gazetarët që e kemi thënë që ditën e parë që Shkëlzeni ishte pronar real i fabrikës. Ai po përpiqet herë ta thotë, herë të mos ta thotë sipas rrethanave, dhe si i tillë është krejt i pambrojtur. Nëse nesër i ndodh ndonjë aksident, apo ndonjë skenë e përkryer krimi, kryeministri do të dalë ta përshëndesë si njeri me integritet që edhe para vdekjes ja shfajësoi djalin, ndërsa ne të tjerët do përsërisim mungesën e karakterit të tij. Ai nuk e ka më luksin të marr statusin e dëshmitarit të besuar të Djallit që ka Fatmir Mediu, dhe kishte vetëm një shans të ishte më i sigurt, të sillej si ne të tjerët që e themi me emër dhe mbiemër atë që dinë gjithë shqiptarët. Tashmë është vonë për të, të jetë edhe si Fatmir Mediu, edhe si ne. Ka ngelur në mes, në ato ujëra të rrezikshme ku mbeten dëshmitarët që duan të bëjnë pazar me sekretin e krimit dhe larg qoftë, shpesh ai sekret i vret.
Tashmë je në luftë Gjeneral. Jo me shoqërinë shqiptare se për të ke vdekur! Jo me ndonjë armik të huaj, pasi fati e ka sjellë të na mbrojë NATO prej tyre. Je në luftë me armikun që i ke prodhuar vetes me mungesën e karakterit, dinjitetit dhe profesionalizmit tënd. Je përballë provës për tu ndeshur me gjithë të zezat që ka prodhuar në këtë vend mungesa reale e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Je në luftë me ata që nuk i ke dashur dhe nuk të kanë dashur, por të kanë poshtëruar në mënyrë të turpshme. Fare papritur ata kuptuan se ke tentuar ti vrasësh pas shpine, dhe të riposhtëruan sërish për tu kërkuar ndjesë. U bëre dhe këtë nder, por mos i beso. Zoti të ruajt!
