Mbushen 103 vjet nga lindja e Nënë Terezës
Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës
Dje u mbushën 103 vjet nga lindja e humanistes dhe nobelistes shqiptare me famë në të gjithë botën, Nënë Tereza. Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare “për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit”. Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Nënë Tereza, e veshur gjithnjë me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhrit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo kishte ngritur në vitin 1950, kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse “një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh”. Por, shtonte ajo, “nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t’i mungonte detit”. E lidhur me vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t’i kishte dhënë të drejtë Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit. Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo, ndaj në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhri dhe nga “Motra Agnes” bëhet atëherë “Nënë Tereza”, për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux, vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve. Grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe e pajisur me njohuri të mira për bizneset, një ditë kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të Vatikanit për të varfrit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij Rolls Royce, që ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdishëm. Disa e qortuan se kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier. Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore. Nënë Tereza i ka drejtuar një mesazh popullit shqiptar në 30 prill të vitit 1993, gjatë një prej vizitave të saj në atdhe. Mesazhi cilësohet si i pari dhe i fundmi drejtuar popullit shqiptar. “Ju do ta doni Shqipërinë aq sa do të doni njeri tjetrin. Unë do të lutem përherë që shqiptarët të kenë bekimin e Zotit. Dua të lutem për ne, për popullin e varfër të Shqipërisë, për popullin e Kosovës që vuan”, thuhet në mesazhin e humanistes me famë botërore. “Shenjtore e të varfërve”, Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997 në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i ka hapur rrugë shenjtërimit të saj. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: “Në fillim më lini të vdes”.
Kryeministri Berisha: Nënë Tereza, shqiptarja që na dha nder më shumë
Nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook, kryeministri Sali Berisha e cilësoi Nënë Terezën si shqiptaren që na dha nder më shumë se kushdo tjetër. Berisha kujton shenjtërimin e nobelistes shqiptare si dhe sjell në vëmendje vizitën në dheun tonë të Papa Gjon Pali i II, vizita e tij e parë historike në Shqipëri dhe Ballkan. “Sot, ditëlindja e shqiptares që na dha nder më shumë se kushdo tjetër! Që na deshte shumë dhe kur nuk e deshëm, Nobelistes Nënë Tereza! Të dashur miq, sot është ditëlindja e shqiptares më të famshme të të gjitha kohërave, gruas më të njohur të shekullit të saj, nobelistes Gonxhe Bojaxhi, Nënë Tereza e Kalkutës. Kjo ditë, për ne shqiptarët dhe mbarë njerëzit e qytetëruar, është ditë mirënjohje ndaj asaj që u shenjtërua për së gjalli me titullin Nënë e mbarë njerëzimit. Për Nënë Terezën 25 prilli i viti 1993, siç do të shprehej ajo vet, ishte dita më e lumtur e jetës së saj, sepse ne së bashku pritëm në dheun tonë Papën Gjon Pali i II në vizitën e tij të parë historike në Shqipëri dhe Ballkan. Nderim të madh Nënë Terezës, bijës së kombit tonë që si shqiptare na dha nder më shumë se kushdo tjetër dhe të urojmë që Papa Francesco të shpejtojë shenjtërimin e saj. Nënë Tereza u nda nga jeta shenjtore e mbarë njerëzimit!”- shkruan Berisha në Facebook.
Topalli: Misionarja e dhembshurisë e dashurisë
Kryetarja aktuale e Kuvendit, Jozefina Topalli, përkujtoi dje ditën e lindjes së humanistes dhe nobelistes së shquar shqiptare, Nënë Tereza. "Më 26 gusht 1910 lindi Gonxhe Bojaxhiu. Në këtë përvjetor, ne shqiptarët përkulemi me nderim e krenari për gruan më të madhe në botë NËNË TEREZËN! Misionaria e dhembshurisë, e dashurisë së pakushtëzuar, e përkushtimit për të sëmurët, për njerëzit në nevojë, për të margjinalizuarit, për të braktisurit, të vetmuarit …..nuk mohoi kurrë kombësinë e saj shqiptare. Janë lapidare fjalët... e saj: "Me gjak jam shqiptare, me qytetari indiane, nga besimi jam murgeshë katolike, me shpirt i përkas botës.."……..edhe pse regjimi i vendit të saj për 50 vite, nuk e lejoi të hynte në Shqipëri, nuk e lejoi që të shihte nënën e saj, e motrën e saj", shkruan Topalli në rrjetin social "Facebook". Topalli shprehet se "Si shoqëri, secili prej nesh ka nevojë të besojë tek vlerat universale; dhe atëherë, do jemi më të mirë, më të vërtetë".