PS-ja, fushatë shpifjesh dhe mashtrimi për një procedurë ankandi tërësisht ligjore
Reagon Ministria e Mbrojtjes në lidhje me procedurën e ankandit “Shitje lëndë e parë e KFA”
Traktet e Partisë Socialiste vijuan serinë e sulmeve kundër Ministrit të Mbrojtjes me një fushatë shpifjesh dhe mashtrimi për një procedurë ankandi tërësisht ligjore dhe të anuluar nga vetë Ministria e Mbrojtjes. Sqarojmë opinionin publik se asnjë vendim i Ministrisë së Mbrojtjes nuk është marrë dhe nuk merret në varësi të shpifjeve të këtyre medieve të dirigjuara nga interesa klienteliste dhe partiake. Procedura në fjalë me objekt “Shitje lëndë e parë e KFA”, është anuluar nga Ministri i Mbrojtjes me datë 22.08.2013, për shkak se vetë Drejtoria e Prokurimeve kishte konstatuar pasaktësi në përcaktimin e çmimeve të disa prej artikujve nga 1302 të tillë. Kjo drejtori i ka kërkuar Komisionit të Posaçëm të Vlerësimit rivlerësimin e këtyre çmimeve. Vetë Komisioni ka pranuar pasaktësitë në përcaktimin e çmimeve, të cilët ishin lënë sipas vlerës së tyre të ardhur nga komanda përkatëse. Me këtë motivacion dhe bazuar në ligjin e ankandit publik nr 9874 date 14.02.2008, Kreu III, Neni 13, pika 1 ku citohet: “Autoriteti shitës lejohet që, në çdo kohë, të anulojë ankandin, për arsye të interesit publik, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës. Autoriteti shitës në asnjë rast nuk është i detyruar të shpallë fituesin për një ankand”, Ministri i Mbrojtjes ka urdhëruar anulimin e kësaj procedure duke e rikthyer tek Komisioni i Posaçëm i Vlerësimit për rishikim të çmimeve njësore të gjithë artikujve. Ky njoftim u dërgua për publikim në buletin me datë 22.08.2013 dhe është botuar në buletinin e datës 26.08.2013. Ministria e Mbrojtjes hedh poshtë të gjitha shpifjet dhe spekulimet e qëllimshme të disa medieve të kapura, qëllimi i të cilave nuk është në asnjë moment e vërteta, por nxirja e realitetit dhe punës së shkëlqyer që është bërë në Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu me herët Ministria e Mbrojtjes pati një sqarim publik rreth procedurave të shitjes në ankand. SIpas ministrisë së Mbrojtjes edhe oretendimi i televizionit A1 Report se nuk jane lejuar për të marrë pjesë në një ankand të zhvilluar ditën e sotme në Ministrinë e Mbrojtjes, është i pavërtetë pasi ditën e sotme nuk është zhvilluar ankandi në fjalë për shkak të mosparaqitjes së kompanive për të marrë pjesë në ankand. E vetmja kompani e paraqitur ka deklaruar se nuk do të dorëzojë ofertë për shkak të çmimeve të larta të përcaktuara. Ministria e Mbrojtjes sqaron se plani i ankandave bazohet tek “Planit i Veprimit me Drejtimet Kryesore për Trajtimin e Pajisjeve dhe Materialeve që janë tepër dhe jashtë nevojave të FA, sipas Tabelave të Organizimit dhe Pajisjeve, i miratuar më10.05 2010 dhe i rishikuar më 13.03. 2012”. Ankandet për shitjen e pajisjeve dhe materialeve të tepërta janë zhvilluar dhe do të zhvillohen edhe më vonë bazuar mbi këtë plan të detajuar pune që mëton lirimin e Forcave të Armatosura nga aktivitete të tepërta që pengojnë përmbushjen e misionit të saj. Çdo spekulim mediatik lidhur me datat e ankandeve nuk qëndron dhe është keqinformim i qëllimshëm.