E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbylle se mos shpenzon...

"Mbylle mos shpenzo", është fjalia kryesore që perdorin shqiptarët në një telefonatë celulare që mund ti bëjnë njëri tjetrit gjatë ditës. Dhe si për çudi kur teknologjia po zhvillohet me një shpejtësi marramendëse, Shqipëria ka mbetur akoma në alfabetin "Mors", por pak më të avancuar, sepse ky alfabet është kthyer në dërgime zilesh. Nëse të dërgoj zile një herë eja ti tek unë, nëse të dërgoj zile dy herë po vij unë tek ti. Nëse të dërgoj zile të zgjatur do thotë se e kam punën tepër urgjente.

Dhe ky "alfabet zilesh" ka formula të lloj llojta, jo nga dëshira për të pasur diçka të ndryshme nga bota moderne, dhe as nga nostalgjia për të vjetrën, por nga halli i paradokseve të pa mbarimta që ndodhin në vendin më të varfër të Europës, aty ku megjithëse rendi skllavo pronar ka dekada që është mbyllur, në një fare mënyre e gjënë në Gadishullin Ballkanik, disa milje apo disa kilometra nga bota që zhvillohet, apo siç na pëlqen të themi, nga bota e qyteteruar.

Eshtë tepër naive apo më mirë të themi tepër interesant fakti se çdo gjë në Shqipëri është e destinuar të bëhet me vonese, dhe kur ajo bëhet jo rrallë gjerat marrin permasa ekzagjeruese.

Me mbarimin e "Luftes se Ftohtë", ku si simbol u rrëzua "Muri i Berlinit", i cili ndante dy epoka nga njëra tjetra, dhe me atë rrëzim mbaroj dhe legjenda e barazisë komuniste, vendi ynë,Shqipëria, bënte sehirin e rradhës, sepse kështu ishte mësuar nga kohët e shkuara. Dhe pasi pamë se çdo gjë po përmbyset morrëm guximin dhe thirrëm; "Duam lirinë", "Poshtë Diktatura", e të tjera, dhe u çuam në emër të përmbysjes shkatërruam gjithçka.

Pasi pamë se nuk ecet më me "Nënën Parti", formuam të tjera, apo më mirë të themi formuam "Femijet e Nenes se madhe".

Në emër të zhvillimit shpikëm formulën "Piramide", dhe u ngjitëm shpejt drejt saj, por kur u ngjitëm ramë po me të njëjtën shpejtësi,biles ramë dhe me shpejt seç u ngjitëm, për të mos kundërshtuar ligjet e fizikës.

Dhe zhvillimet në vendin tonë në mënyra tepër të kundërta me ato që bota ecën janë të shumta, të pa numërta, ndofta për këto lloj zhvillimesh do mbahemi mend ne historinë botërore, dhe brezat në botë që do vijnë do qeshin me ne, dhe brezat shqiptar që do vijnë do qajnë dhe do na urrejnë se nuk u lamë gjë për të qenë krenar. Një nga këto zhvillime tepër interesante, paradoksale, që po ndodh në vendin tonë është dhe përdorimi e celularit, ku çmimet janë ose në një taban me Europën, ose dhe me lart se shumë vende të Europës.

Dhe arsyeja dihet, nuk ka nevojë të gjejmë gjurmët kur kemi ujkun që na vjen nga pyjet e shtetit fqinjë, ku si në shumë raste kemi parë vetëm të këqija dhe shumë pak të mira nga fqinjët tanë përtej "Kakavijës".

Të gjithë flasin mbi monopolet, mbi interesat që nuk duhet të jenë, mbi korrupsionin, por fjalët i merr era, sepse realiteti është krejt ndryshe.
Vetëm një vështrim ti hedhësh programeve televizive në Shqipëri, do shohësh se mbi 70 % sponsorët gjeneral të tyre janë kompanite celulare Vodafon ose AMC, e përkthyer ndryshe monopol të të njejtit burim.

Por unë do thoja se më mirë, dhe me e ndershme do ishte të shkruqsh se sponsorët gjeneral të atyre programeve janë shqiptarët, që paguajnë faturat me tarifat më të shtrejta, dhe atyre u takon nderi i sponsorizimeve.

Nuk e di se si kanë fituar tenderin këto kompani celulare në Shqipëri, ku kuptohet fajtori kryesor është politika dhe interesi i ndonjë politikani qe hipokrizia e tij nuk njeh nder. Por e di mirë dhe shikoj fare qartë se në një mënyrë apo në një tjetër, me një justifikim apo ndonjë tjetër nuk po lejohet konkurimi i ndershëm brenda rregullave dhe standarteve të ekonomisë së lirë.

Ardhja si konkurente e nje kompanie tjetër jasht filo-grekëve, "Eagle Mobile", e drejtuar nga kompania turke "Calik Energy", duket sheshit se i ka trazuar interesat zhvatëse të dy kompanive aktuale celulare. Megjithëse ajo e ka fituar tenderin për të marrë përsipër privatizimin e Alb-Telekom, dhe për formimin e nje operatori të tretë celular konkurues ne treg, dhe është firmosur marrëveshja që para dy vitesh nën qeverinë Nano, qeveria Berisha po zvarrite çdo dite dhe më tepër hyrjen në treg të konkurencës këtë kompani.

Mund të ketë shumë arsye për të cilat zvarritet kjo sipërmarrje nga qeveria e drejtuar nga kryeministri Berisha, por dy nga këto me duken me te aferta, dhe me konkrete.
E para; Zvarritja mund të vijë nga ndonje interes si gjithmonë i ndonje politikani me mandat ministri, apo nga shuma parash që mund të kenë dhënë dy kompanite celulare aktuale, gjë që i mbetet prokurorisë ta zbuloje nëse ajo nuk është në gjumë sië e ka zakon të jetë kur flitet për "Padrinot".

E dyta; Zvarritja mund të vijë nga ndonjë fobi frikë që mund të jetë krijuar tek kryeministri aktual, president i vitit 97' se hyrja në treg e nje kompanie konkurente jo greke me kompanite greke, do i kushtoje atij postin për të cilin është i gatshëm të sakrifikoj çdo gjë.

Duke e shtyrë dhe për një vit hyrjen në treg të "Eagle Mobile", do thotë për shqiptarët, dhe nje vit pagesë të çmimeve të larta të faturave, dhe për një vit joshje me ca oferta mashtruese që japin dy kompanite aktuale.

Duke shtyrë dhe për një vit hyrjen në treg të "Eagle Mobile", do thotë për Vodafon dhe AMC-në, dhe nje vit pasurim të pa ndershëm në kurriz të një populli ne përgjithësi të varfër, do të thotë dhe nje vit mendim për ndonjë plan tjetër mashtrimi për të mos lejuar konkurent jasht tyre.

Duke shtyre dhe për një vit hyrjen në treg të "Eagle Mobile", për qeverinë është tashmë me transparent sllogani para elektoral; "Qeveri e shërbimit dhe të shërbesave ndaj qytetarve", ku duket sheshit se është "Qeveri e shërbimit dhe të sherbesave ndaj vetvehtes, pa ndryshim nga qeveritë e shkuara".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›