E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta 2625 zbulon petkun e marrëveshjes


Shumica e popujve në Ballkan, në Evropë dhe në botë e konsiderojnë praninë e rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurimin e paqes, stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e social. Në asnjë sistem të marrëdhënieve ndërkombëtare të historisë moderne të njerëzimit, bota nuk ka pasur në krye një fuqi kaq të madhe, e cila të
ndërtonte politikën globale bazuar në vlerat më të larta universale siç janë liria, demokracia dhe zhvillimi.

Natyrisht, jo kudo prania dhe roli i SHBA-ve kanë qenë dhe janë të njëjta. Në Ballkan, padyshim që prania dhe roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përcaktues. Këtë pozicion nuk e kërkuan vetë ShBA-të. Ky pozicion u diktua nga kriza e thellë e rajonit tonë mbas viteve “90, përballë së cilës dështuan përpjekjet e fuqive evropiane dhe Kombeve të Bashkuara për paqe, stabilitet e demokraci. Tragjedia e Bosnje dhe Hercegovinës deri në vitin 1995, konflikti në Kosovë deri në vitin 1999 dhe kriza serioze e Maqedonisë deri në verën e vitit 2001 nuk do të kishin gjetur zgjidhjet e duhura pa ndërhyrjen e fuqishme dhe të drejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtu e ka bazën reale besueshmëria që shqiptarët e Kosovës kanë te angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen e statusit final të tyre. Madje populli e politika e Kosovës shikojnë te ShBA-të, jo vetëm një popull dhe vend mik në zgjidhjen e statusit por, në vizione afatgjatë, një aleat strategjik të tyre.

ShBA, që nga mesi i viteve “90 kanë qenë gjatë tërë kohës të angazhuar seriozisht për Ballkanin. Natyrisht, për Kosovën angazhimi i tyre njohu nivele e përmasa të tjera. Prandaj, projekti i Kosovës, i realizuar me sukses deri në fund nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ishte një aspiratë e materializuar për popullin e Kosovës, një element shtesë për paqe, siguri, demokraci dhe integrim ballkanik, por njëkohësisht edhe një arritje e shkëlqyer e politikës së jashtme të SHBA-ve për të gjeneruar vlerat e veta, për të arritur interesat e tyre dhe për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar në rendin e ri botëror.

Ndërkaq në këtë periudhe shumë të rëndësishme dhe historike lidershipi politik i Kosovës ka disa sfida paralele njëkohësisht: përmbushjen e standarteve dhe implementimin e tyre ,ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në vend gjatë këtij procesi , parapërgaditjen për statusin e saj e cila do të dale nga rezoluta e re e KS të OKB-së dhe rregullimin e puneve shtëpiake . Të tri këto sfida janë pjesë e një procesi, nuk mund të shkëputen, janë në mbështetje te njëra-tjetrës dhe në dobi të realizimit të kauzës finale historike të popullit të Kosovës. Nënvleftësimi, ose dështimi në njërën nga këto sfida dëmton e rrezikon seriozisht edhe të tjerat. Gjithashtu duhet parandaluar gjithçka që pengon rrugëtimin e Kosovës sepse gjatë këtij rrugëtimi do të ketë forca e struktura që do të provokojnë destabilitet, paqëndrueshmëri, incidente, të cilat do të kenë ndikim shumë negativ për për status e ardhshëm të kosovës dhe do të ishin në favor të kundërshtarëve të pavarësimit të Kosovës. Këto forca e struktura të errëta duhen mbajtur nën kontroll, duhen margjinalizuar apo neutralizuar me rrugë e mjete demokratike

Para se gjithash është e nevojshme të ketë shumë kujdes kur bëhet fjalë për formën e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Përzierja e shumë zërave në këtë aspekt do të ishte në kundërshtim me procesin e nisur. Jo kushdo ka të drejtë, ka legjitimitet apo profesionalizëm që të ofrojë opsione politike për zgjidhjen finale të statusit të Kosovës. Kosova nuk është laborator eksperimental ku mund të futin duart gjithfarë ekspertësh. Kosova nuk është pa zot, ku shumëkush do të mund të shfaqej si përfaqësues i saj. Kosova nuk është pa kapacitete njerëzore, ndaj së cilës kushdo do të mund të jepte leksione e të bënte teori.

Në mënyrë të veçantë, për substancën politike të zgjidhjes së statusit final pak kush ka të drejtë, legjitimitet dhe profesionalizëm që të shfaqet publikisht. Kjo nuk do të thotë mbyllje goje për këdo që flet për statusin final të Kosovës. Kjo do të thotë që Kosova, populli e përfaqësuesit e saj nuk duhet të dëgjojnë e të konsiderojnë këdo që përzihet në statusin final të saj. Tanimë gjërat po shkojnë drejt zgjidhjes përfundimtare gjithashtu edhe emisari Ahtisari e ka futur në pako vullnetin e popullit respektivishte subsatancën e shtetit të Kosovës. Në faza të tilla duhen evituar konfuzioni, çoroditja dhe opsionaliteti i tepruar. Pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë që i shërben popullit të Kosovës, vetë Serbisë, Ballkanit dhe mbarë Evropës. Çdo zgjidhje tjetër është e pjesshme, e përkohshme, e paqëndrueshme, e rrezikshme dhe e kushtueshme.

Pa bërë shumë teori, mund të them se jam përpjekur të ndjek në dinamikë gjithë procesin e krijimit të grupeve përfaqësuese negociuese politike e teknike të Kosovës për bisedime. Mund ta ndaj këtë proces në dy faza. Në fazën e parë, pati probleme lidhur me përbërjen dhe funksionimin e grupit politik. Kishte shenja të protogonizmit personal, të partitizmit dhe madje edhe të liderizmit.

Këto nuk janë dukuri që ndodhin vetëm në Kosovë. Ndodhin edhe në shoqëritë e vendet më të zhvilluara e demokratike në botë.
Në fazën e dytë, anëtarët e grupit politik negociator u shndërruan vërtetë në një ekip negociator. Kjo do të thotë se pjesëtarët e ekipit negociator kanë lenë prapa tyre protogonizmin, partitizmin dhe liderizmin e po ekzistojnë e funksionojnë mbi bazën e kohezionit politik të brendshëm, vizioneve të përbashkëta strategjike, performances së harmonizuar, përqasjeve të përbashkëta
ndaj dukurive në terrenin kombëtar e ndërkombëtar. Mendoj se kështu edhe funksionojnë deri në fund.

Është pozitiv fakti që ekipi negociator u mbështetet nga populli dhe institucionete Kosovës, nga grupe teknike, virtuale, personalitete e lobingje të fuqishme brenda dhe jashtë Kosovës. Pra, ekipi negociator nuk u ndjeh i vetëm dhe as i braktisur. Ai pati dhe ka mbështetje të plotë dhe të gjithanshme politike, teknike e profesionale. Kështu ishte e nevojshme të jetë ky ekip: i hapur për gjithëpërfshirje dhe bashkëpunues edhe me qytetarët e saj.

Ndërkaq mund të themi se është arritur përparim i dukshëm lidhur me marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, posaçërisht në marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve. Por, gjithashtu ka akoma shumë rrugë për t’u bërë që këto marrëdhënie ndëretnike të shndërrohen në marrëdhënie qytetare normale brenda një shoqërie e shteti demokratik. Por, nëse situata ndëretnike është jo aq e
dëshirueshme, kjo ka ardhur nga një serë shkaqesh e faktorësh, për të cilat nuk mund të fajësohen apo të ngarkohen me përgjegjësi vetëm populli dhe politika e Kosovës. Se pari, Kosova aktuale është përgjegjësi e përbashkët midis vendorëve e ndërkombëtarëve nga vera e vitit 1999 si në arritjet, ashtu edhe në sfidat. Se dyti, serbët e Kosovës më shumë kanë konsideruar kryeqytet të tyre Beogradin sesa Prishtinën. Se treti, Serbia është përpjekur ta përdorë kartën e pakicës serbe në Kosovë me tepër për motive politike të brendshme sesa për zgjidhjen reale të problemeve të kësaj pakice me pjesën tjetër të popullsisë së Kosovës. Se katërti, vetë niveli i zhvillimit ekonomik e social i Kosovës përben kufizime të mëdha për liritë e të drejtat e gjithë qytetarëve të saj, duke nisur nga punësimi, pronësimi, biznesi, lëvizja e lirë e mallrave, kapitaleve, shërbimeve, njerëzve etj. Këto limite, që burojnë nga niveli i zhvillimit ekonomik e social, i vuajnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga etniciteti i tyre. Se pesti, modelet e aplikuara deri tani në marrëdhëniet ndëretnike brenda një shteti në rajonin tonë si në Qipro, Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni kanë dhenë
përvoja kontradiktore. Diku kanë qenë të dështuara (Qipro), diku gjysmë të dështuara (Bosnje dhe Hercegovinë), diku kinse më pozitive e funksionale (Maqedoni). Ndonëse, secili prej rasteve të lartpërmendura ka specifika unike të ndryshme krahasimisht me Kosovën, serish ato nevojitet të mbahen parasysh për mirë apo për keq. Pa u përzier në lëndën e përgatitur, udhëheqësia kosovare do të duhet të mbajë mirë parasysh këto akte juridike dhe modele: Konventën Evropiane për të Drejtat e Minoriteteve, Konventën Evropiane për Autonominë e Pushtetit Vendor, modelin e dështuar në Qipro, modelin aspak funksional tre etnik të Bosnje dhe Hercegovinës si dhe modelin relativisht të suksesshëm të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit për Maqedoninë. Dhe krejt në fund pa folur në planin tekniko-diplomatik dokumenti dhe vendimi do të ndërmerren nga institucione relevante ndërkombëtare, jashtë dhe pavarësisht Prishtinës dhe Beogradit. Natyrisht një zgjidhje e tillë u bë e pashmangshme sepse palët nuk arritën marrëveshje edhe në atë të 10 marsit të zhvilluara në Vjen si bisedime të fundit të këtij procesi statusor. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrijë peng i tensioneve, ekstremiteteve apo i skepticizmit shqiptaro-serb.Rezolutae re e cila do të mund të ishte 2625 duhet të miratohet sa më shpejtë në KS dhe kodi i enigmës së stausit të kosovarë të zgjidhet ashtu që ballkani dhe Kosova të ec në drejtim të zhvillimeve dhe integrimeve euroatlantike. Sepse me pavarësin e Kosovës dhe me integrimin e ballkanit nuk ndryshohen kufjt por hapen ato dhe Kosova e Ballkani marrin një rrugëtim drejt civilizimit dhe demokracisë botërore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›