E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen hetimet ndaj Spahiut, raporti në Parlament

Pavarësisht dorëheqjen, mazhoranca duket se do ta çojë deri në fund “inatin”, pasi do t’i kërkojë Parlamentit të marrë një vendim për shkarkimin e tij.

Komisioni parlamentar i përbërë vetëm nga deputetët demokratë do të dalë një raport të vetin, i cili do të miratohet në Parlament gjatë së enjtes. "Jemi përfundimisht në përmbushje dhe të planit të hetimit ku jemi në kushtet për të deklaruar përfundimin e hetimeve", tha kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj.

Ai sqaroi se në raport janë përfshirë edhe dokumentet e ardhura nga KLD-ja për veprimtarinë e kryer nga Spahiu që nga viti 2009, kryesisht për udhëtimet e tij jashtë shtetit dhe përdorimin e automjeteve për qëllime që nuk kishin të bënin me punën e institucionit.

"Ka mbërritur dokumentacioni shkresor që ka të bëjë me mënyrën e menaxhimit të fondeve financiare që nga buxheti i shtetit i janë dhënë KLD-së në periudhën 2009-2012. Dokumentin financiar të lëvizjes së mjeteve monetare në valutë e lekë, të lëvizjeve financiare në thesarin e shtetit, dokumentet që kanë të bëjnë me prokurimet në lidhje me karburantin, në lidhje me blerjen e pajisjeve të telekomunikacionit, riparim automjetesh, blerje gomash etj", tha Alibeaj.

Spahiu dha dorëheqjen nga posti në fillim të këtij muaji, duke pretenduar se komisioni është jashtë Kushtetutës së vendit dhe paralajmëroi një ankimim në Gjykatën Kushtetuese./Start/

                                                                                             2012-02-22 16:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›