Kushtetuta-fasadë që pengon shtetin e Bosnje-Hercegovinës
Ka kohë që granatat nuk dëgjohen, paqja e arritur në Dejton, me 21 nëntor të këtik viti mbush plot 14 vite, por shteti i Bosnjë-Hercegovinës edhe sot ka probleme të mëdha. Institucioni i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës është duke përjetuar një krizë, e sidomos sferat e kompetencave të tij si institucion stabël dhe i fortë, qoftë në arenën kombëtare ose në atë ndërkombëtare. Realiteti në këtë shtet, me konstruksionin që ka dhe sforcimet që i bëhen, patjetër që do të mund të emërohej me termin “luftë e ftohtë”. Entitetet e krijuara nga Marrëveshja e Dejtonit, nëse i shikojmë si kategori e aranzhime administrative të përkohshme, deri më tani do të duhej t’u skadonte afati.
Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për gabimet që janë bërë me Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe bash për këtë do të duhej të bënin hapat drejt modernizimit e funksionalizimit të këtij shteti. Para disa ditesh, Kongresi amerikan inkurajoi këtë shtet duke i bërë ftesën për të hyrë në NATO, po ashtu edhe vizita e nënkryetarit Joe Biden në majin e këtij viti që i bëri Sarajevës, dha sinjalin se duhet t’i afrohet fundi fazën së Daytonit të BeH e të vazhdojë me fazen e re të përparimit. Bosnjë-Hercegovina, funksionimin e saj si shtet e bazon tek Aneksi IV i Marrëveshjes së Dejtonit, e cila paraqet Kushtetutën e BeH. Kjo Kushtetutë është faktori kyç, i cili çdo lëvizje e përparim drejt integrimeve euroatlantike, po e stopon, bile ngadalëson. Bashkimi Europian është i pakëanqur me të arriturat e BeH sa i përket plotësimit të standartëve, ndërsa asgjë nuk po bën për të menjanuar largimin e pengesave që pamundësojnë plotësimin e standarteve.
Krerët politikë të Boshnjakëve, Serbëve dhe Kroatëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, në fshatin Prudë të BeH, para disa kohe bënë disa takime dhe u “morrën vesh që u morrën vesh” për situatën e palakmueshme të shtetit të tyre. Ata u bllokuan nga krerët politikë serbë, të cilët me shantazhet e tyre, nuk lejuan përparimin. Kolumnisti i gazetës “Osloboðenje” në Sarajevë Gojko Beriq, me mllef e pranon se, ata kurrë nuk do të mund t’i kuptoj, duke aluduar për liderët politikë të të gjitha nacionaliteteve në Bosnje-Hercegovinë. Beriq pohon se ky shtet është në një pozitë agonie. Ajo është e ndarë para së gjithash mentalisht, me tri politika etnike, ku secila kërkon aleanca jashtë BeH, përmbyll kolumnisti Beriq.
Ndërrimi i Kushtetutës është hapi i cili do të relaksonte dhe ndihmonte përparimin e këtij shteti. Kjo gjë është mëse e domosdoshme të ndodhë, por pa intervenimin nga jashtë vështirë që mund të ndodhë. Kreu i Socialdemokratëve të pavarur, njëherësh kryetar i qeverisë së Republikës Serbe të BeH, Milorad Dodik është ai që çdo ofertë që rregullon marrëdhëniet mes popujve të BeH po e shqelmon, ndërsa liderët kroatë janë të ndarë në parti të ndryshme me ide të ndryshme sa i përketë rregullimit shtetëror të BeH. Kur flasim për pozitën politike të Boshnjakëve, ata gjenden në një pozitë e cila është më e vështira prej mbarimit të luftës në vitin 1995. Këti pozicion të palakmushëm më së shumti i ka ndihmuar lideri i Partisë së Aksionit Demokratik, Sulejman Tihiq, ndërsa Haris Sillajxhiq nga Partia për BeH ka qenë i pasuksesshëm në përfaqësimin e popullit boshnjak si anëtar i presidencës të BeH.
Po kjo Kushtetutë nuk i mundëson Asamblesë Parlamentare të Bosnje-Hercegovinës ta proçesojë rezolutën e miratuar në janar të këti viti nga Parlamenti Europian, me të cilen 11.korriku shpallet Dita e përkujtimit për gjenocidin e ndodhur në Srebrenicë. Po ashtu, kjo Kushtetutë e pengon shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës ta pranojë e njohë Republikën e Kosovës, e cila shpalli mëvetësin e saj më 17.shkurt të vitit që lamë pas.
(Autori i shkrimit është analist dhe hulumtues i pavarur. Shkrimi është botuar së pari në periodiken e Ulqinit “Koha Javore”)