E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen spitalet e rretheve të vogla, të sëmurët drejt qyteteve të afërta

Nga 42 spitale në rrethe, vetëm 12 do të vazhdojnë të kryejnë këtë funksion. Disa prej tyre do të mbyllen dhe do të kthehen në poliklinika. Ky është një projekt i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Edmond Stojku, drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, sqaroi se këtë fat do të kenë spitalet në Skrapar, Tropojë apo në qytete të tjera që kanë shumë afër në rrugë tokësore spitale më të mëdha. Sipas tij, kjo politikë është kundërshtuar nga shumë drejtues në rrethe, por vlerësimi do të bëhet në bazë të numrit të popullsisë në zona të ndryshme të vendit. Sipas tij, për zonat që nuk kanë mundësi të lidhen me rrugë tokësore funksionon shërbimi ajror në dispozicion të të cilit do të vijnë edhe dy helikopterë nga Gjermania, veç dy të tjerëve që posedohen aktualisht. Nisur nga amortizimi i më shumë se 80 për qind të pajisjeve mjekësore në vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë po bën një inventarizim të tyre, duke synuar zëvendësimin e aparaturave që nuk kryejnë më funksionin e tyre.
Për këtë çështje, spitaleve të rretheve, që kanë mungesa në aparatura, tashmë do t’u shtohen disa pajisje. Janë 12 spitale rajonale që do të pajisen me skaner, duke nisur mënyrën më të mirë të përmirësimit të infrastrukturës. Stojku sqaroi se aktualisht po kryhet një studim për vlerësimin e infrastrukturës së spitaleve në rrethe, në bazë të të cilit do të vërehen mungesat dhe domosdoshmëritë që ka në spitalet e vendit. Ky studim do të kryhet në bazë të numrit të popullsisë dhe afërsisë me spitalet e tjera në rrethe. “Përmes këtij studimi, veç evidentimit të nevojave infrastrukturore të spitaleve, Ministria e Shëndetësisë do të vlerësojë se cilat spitale në rrethe do të mbyllen dhe do të kryejnë vetëm funksionin e poliklinikave. Studimi do të kryhet në bazë të numrit të popullsisë dhe afërsisë me spitalet e tjera në rrethe”, - sqaroi Stojku.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›