Aksidenti pranë Doganës, policia çon në qeli tre të rinj
Tiranë - Tre të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës pas aksidentit me makinë që ndodhi të dielën në rrethrrotullimin pranë Doganës së Tiranës, ku mbetën të plagosur rëndë dy të mitur. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut njoftuan dje arrestimin e shtetasit Mino Xhafa 19 vjeç, Armando Zhegu dhe Erion Hoti, 18-vjeçarë, banues në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, shtetasi Mino Xhafa, duke drejtuar automjetin e tij tip “Fiat”, me targa të huaja, me pasagjerë shtetasit Erion Hoti dhe Armando Zhegu, ka humbur kontrollin e drejtimit të makinës dhe për pasojë ka aksidentuar dy të mitur, njëri 11 dhe tjetri 13 vjeç, në rrethrrotullimin pranë Doganës së Tiranës. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit së bashku me pasagjerët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që të dëmtuarit u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës ku mësohet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Shërbimet e policisë që shkuan në vendin e ngjarjes dhe kryen veprimet procedurale bënë të mundur në pak orë identifikimin dhe kapjen e tre personave që udhëtonin me makinën tip “Fiat”. Shtetasi Mino Xhafa u arrestua me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Ndërkohë, shtetasit Erion Hoti dhe Armando Zhegu u arrestuan me akuzat “përkrahje të autorit” dhe “moskallëzim krimi”. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të zbatojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor me qëllim uljen e ngjarjeve aksidentale.
12 Shkurt 2008