E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të informohen maturantët për degën që do të zgjedhin

Ministria e Arsimit publikon programin “Ditët e gjimnazistëve në universitete”
Jonida Tashi
Maturantët e shkollave të mesme publike dhe jopublike, por edhe maturantët e ardhshëm, para provimeve të maturës dhe para se të zgjedhin mes shumë fakulteteve në vend, tashmë do të kenë një informacion të plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar. Ministria e Arsimit ka publikuar dje një program pune “Ditët e gjimnazistëve në universitete”, qëllimi i të cilit është orientimi i të rinjve në zgjedhjen e studimeve universitare. Informacioni i plotë për degët që ata do të zgjedhin për të studiuar është një nga pikat kyçe për një vendim personal të çdo kandidati/maturant. Ky informacion do të merret në bazë të një informimi të plotë, me anën e disa mekanizmave siç janë Këshillimi i Karrierës dhe “Ditët e gjimnazistëve në universitet”. Sipas MASH-it, orientimi i atyre që përfundojnë shkollën e mesme apo profesionale dhe drejtohen drejt universiteteve është diçka shumë e rëndësishme, që ka munguar dhe që patjetër duhet të konsiderohet si prioritet për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies. Pjesë për zbatimin e këtij programi do të jenë edhe fakultetet, të cilat në bazë të udhëzimit të MASH-it do të informojnë maturantët për degët që kanë, vështirësinë e tyre, si dhe sa oferta kanë këto degë në tregun e punës.
Këshillimi
Këshillimi do të ofrohet për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, duke u përqendruar te maturantët, të cilët zgjedhin shkollën e lartë, por jo duke u kufizuar te ata. Ky proces është menduar që në një të ardhme të afërt të kalojë përmes ngritjes dhe funksionimit të Zyrave të Këshillimit të Karrierës (ZKK). Rezultati i procesit të Këshillimit të Karrierës është që maturantët të jenë të mirinformuar për vendimin që do të marrin. Para se maturanti të zgjedhë, për shembull, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Inxhinierisë apo të Historisë, duhet të dijë më parë se ekziston një program i tillë studimi, me ngarkesë të caktuar dhe, më kryesorja, pas diplomimit cilat janë shanset e punësimit apo të të qenit i suksesshëm në tregun e punës.
Bashkëpunimi me universitetet
Për të garantuar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit të Këshillimit të Karrierës, do të ketë një bashkërendim të veprimtarive të parashikuara në plan-program mes shkollave të larta, Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë (DPAL) dhe Drejtorisë së Kurrikulave (DK). Shkollat e Larta, në bashkëpunim me DPAL dhe DK, kanë për detyrë të informojnë më mirë maturantët për ofertat e arsimit të lartë, për shanset që kanë në një degë të caktuar studimi, për perspektivën e karrierës së tyre që u ofrohet në rastet e ndryshme. Ky bashkëpunim do të përfshijë gjerësisht të gjitha universitetet publike si edhe ato private për të garantuar një hapësirë sa më të gjerë të plotësimit të interesave të nxënësve maturantë. Fakultetet do të shpallin datat për “Ditët e gjimnazistëve në universitete”, të cilat organizohen një herë në dy javë për çdo fakultet. Në bazë të datave të planifikuara nga fakultetet, drejtorët e shkollave do të organizojnë vizitat në fakultete.
Maturantët
Maturantët do të informohen nga fakultetet për vlefshmërinë e diplomës së tyre, hapësirën që ajo ka në tregun e punës, familjarizimin me jetën studentore, si dhe me kushtet e mësimdhënies që ofrohen. Takimet që do të organizojnë pjesëtarë të stafeve mësimore të fakulteteve nuk do të kufizohen vetëm për çështjet e koeficientëve që kanë për çdo universitet, por në ditë të caktuara në kuadrin “Ditët e gjimnazistëve në universitet” profesorët e universiteteve do të shkojnë në shkollat e mesme për të paraqitur ofertat e fakulteteve në të cilat ata japin mësim. Ndërsa maturantët do të vizitojnë në ditë të caktuara fakultetet, ku secili mund të vizitojë sa më shumë fakultete për t’u njohur me programet e studimit, me personelin, me laboratorët, me godinën, për të krijuar një ide se si do të jetë pas tre apo pesë vjetësh pasi të diplomohet, si dhe për të krijuar një ide fillestare për shanset që do të ketë për punë.

Programi i veprimtarive “Ditët e gjimnazistëve në universitete” do të realizohet në dy faza:

Faza parë
“Profesorët në shkolla”
Kohëzgjatja: Shkurt-mars 2008
Synimi: Prezantimi i programeve të studimit të fakulteteve në shkollat e mesme në shkallë republike
Mënyra e prezantimit: Biseda prezantuese, materiale orientuese dhe njohëse të përgatitura nga secili fakultet.
Shkollat e mesme do të krijojnë mundësinë që jo vetëm nxënësit maturantë, por edhe prindërit e tyre, t’i ndjekin këto takime.
Java e parë e shkurtit 2008 - DPAL dërgon në DK kalendarin e datave të planifikuara nga universitetet e fakultetet përkatëse për vizitat në shkollat e mesme
Java e dytë e shkurtit 2008 - DK do të njoftojë DAR për datën e vizitës së pedagogëve në shkolla
Java e tretë e shkurtit 2008 - DAR harton grafikun dhe njoftojnë shkollat për caktimin e orëve të bisedave dhe njoftimin e të interesuarve përveç nxënësve
Materiale në ndihmë të procesit:
Postera
Fletëpalosje
Guida, etj.

Faza e dytë
“Maturantët në universitete”
Pas përfundimit të turit njohës të pedagogëve në shkolla, do të fillojnë vizitat e nxënësve të shkollave të mesme në fakultete.
Kohëzgjatja: Mars–maj 2008
Synimi: Njohja nga afër e mjediseve universitare, takim me pedagogë dhe studentë. Vizita në laboratorë dhe mjedise të tjera.
Kalendari i veprimtarive: Fakultetet shpallin datat për “Ditët e gjimnazistëve në universitete”, të cilat organizohen 1 herë në dy javë për çdo fakultet. Në bazë të datave të planifikuara nga fakultetet, drejtorët e shkollave organizojnë vizitat në fakultete.

Bashkëngjitur janë dy tipe kërkesash për planifikimin e veprimtarive

Kërkesë 1
Për: Drejtorin e shkollës ____________________
Në kuadrin e “Ditës së maturantit”, ju kërkojmë të organizoni një ditë informuese për universitetin ..., Fakulteti ..., në ... ku do të paraqitet për nxënësit e shkollës dhe të interesuarit oferta mësimore për vitin akademik 2008-2009.
Takimi të organizohet në periudhën___________________________________

Personi i kontaktit_____________________
Universiteti_______________________________
Fakulteti______________________________
Telefon______________________________
Celular______________________________
E-mail_______________________________

Kërkesë 2
Për: Universitetin ____________________
Fakulteti_____________________________
Në kuadrin e “Ditës së maturantit”, ju kërkojmë të organizoni një ditë informuese për nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “ ...” ..., ku Fakulteti juaj të informojë nxënësit dhe të interesuarit për ofertën mësimore për vitin akademik 2008-2009.
Takimi të organizohet në periudhën___________________________________

Personi i kontaktit _____________________
Shkolla e mesme_______________________________
Telefon______________________________
Celular______________________________
E-mail_____________________________

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›