E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buka dhe qesja qeveritare

Fatos Çoçoli

Jemi popull që ende konsumojmë shumë bukë. Disa llogaritje të thjeshta na çojnë në shifrën 300 gram për njeri në ditë.
Më e larta në Evropë.
Ose një kile e gjysmë bukë në ditë për një familje me pesë vetë. Ose një mijë e pesëqind lekë të vjetra në ditë, apo 45 mijë leke në muaj.
Vetëm buka përbën kështu një të pestën e shpenzimeve ushqimore të një familjeje të varfër shqiptare që e shtyn muajin me treqind mijë lekë të ardhura.
Për të mos folur për pensionistët.
Rritja e tanishme e çmimit të bukës u shton katastrofikisht shpenzimet e tyre për bukë me rreth pesë mijë lekë të vjetra në muaj.
Këtë shumë duhet ta përballojë shteti, qeveria nga buxheti i saj. Njëlloj sikurse bën me pagesën për rritjen e dritës elektrike. Vërtet çmimi i rritur i bukës nuk përbën reformë.
Por ama kategoritë në nevojë të popullsisë duhen ndihmuar. Sigurisht nuk është e lehtë.
Kemi rreth 650 mijë pensionistë.
Nëse kompensohet buka e rritur, i bie rreth 4 euro për çdo pensionist pagesë shtetërore në muaj, ose 2 milionë e gjashtëqind mijë euro.
Ose 32 milionë euro vetëm për këtë vit.
Duke shtuar edhe një pagesë shtesë për të varfërit kronikë jo pensionistë(pagesa e varfërisë), shkon mbi 40 milionë euro në vit.
Praktikisht do të ishte një pagesë për rritjen e çmimit të grurit e miellit në botë.
Qeveria ndoshta mund ta ketë shumë të vështirë si të gjejë paratë, ashtu edhe të bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar për këtë shpenzim të ri.
Por është rruga e vetme, për të mos përkeqësuar gjendjen e shqiptarëve.
Për të mos rritur pesimizmin mes tyre. Si dhe përse jo, edhe rastet e shtuara të vetëvrasjeve.
Qeveria duhet të kthejë sytë nga ndërhyrja sociale, pse gjendja po rëndohet.
Vaji, gjalpi, të rritura edhe ato në maksimum, presin edhe shtimin e çmimit të “vëllait” mish.
Në këtë qerthull inflacioni, ka pak mundësi ndërhyrjeje.
Pse për 300 mijë fermerët dhe familjet e tyre, si zor të mund të nxiten të mbjellin dhe prodhojnë grurë.
Shumica e bujqve në gjendje të mirë që kanë edhe tokë, kanë mbjellë fruta: hardhi, mollë, ullinj.
Do të jetë shumë e vështirë të kthejnë mendje dhe për vitin e ardhshëm të mbjellin grurë.
Gruri është një bimë që kërkon shumë mund e kohë, ndërkohë që të ardhurat nga shitja e tij janë të pakta, edhe me rritjen e çmimit në tregjet botërore.
Ndoshta mund të blihet me shumë dhe më lirë grurë nga jashtë, për të prodhuar miellin këtu.
Por fabrikat e tanishme të miellit kanë probleme të shumta me kapacitetet prodhuese të tyre.
Si zor të nxjerrin miell në sasi të konsiderueshme dhe me çmim ndjeshmërisht më të ulët se sa mielli i importit.
Kështu që loja në treg dhe me prodhimin nuk duket fort premtuese. Ndoshta forcimi i kontrollit mbi gramaturën mund të japë ndonjë gjë, pse prodhuesit dhe tregtuesit e bukës nxjerrin fitim edhe me shitjen e saj nën gramaturë.
Ndoshta gjoba të forta të policëve tanë tatimorë mund t’i shkurajojnë tregtarët që të luajnë me xhepin e shqiptarit të thjeshtë sikundër kanë bërë pa hesap deri tani.
Por kjo nuk mjafton.
Qeveria tani duhet ta zgjidhë qesen. Edhe pse kjo duket sakrifice e fortë, ia vlen për të mos çuar me dhjetëra mijëra shqiptarë në dëshpërim të plotë.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›