Mbyllet amnistia, u rivlerësuan banesat e 58 mijë personave

Përfundon amnistia për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, prej të cilës kanë përfituar rreth 58 mijë persona. Sipas Ministrisë së Financave afati i fundit ka qenë 31 gushti dhe nuk pritet që të ketë shtyrje të mëtejshme të afatit. Ndërkohë sipas të dhënave paraprake rezulton se janë mbledhur afërsisht 2.6 miliardë lekë të ardhura.Të gjithë ata qytetarë që bën një rivlerësim të banesave paguan një taksë prej 1 përqind për diferencën mes çmimit të blerjes së pronës dhe vlerës së saj aktuale në treg.
Afati i parë për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme ka qenë 31 marsi, po ky afat u shty pasi pati një fluks të qytetarëve të cilët kërkonin të rivlerësonin banesat e tyre. Gjithashtu një tjetër arsye për shtyrjen e aftit ishte edhe ardhja e emigrantëve gjatë verës, të cilët sipas të dhënave kanë përfituar prej këtij procesi.
Skema e rivlerësimit u miratua prej qeverisë, pasi ata qytetarë që shesin shtëpitë e tyre paguajnë 10 për qind taksë të diferencës mes çmimit të shitjes dhe çmimit që kanë paguar kur i kanë privatizuar apo blerë këto shtëpi para disa vitesh. Kjo bën që detyrimet në rast të shitjes së një shtëpie të ishin shumë të larta.
Ligji hyri në fuqi në qershor të vitit të kaluar dhe ketë vit u shty me tetë muaj, deri në 31 gusht 2012. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme llogaritet të ketë sjellë të ardhura të kosndierueshme në buxhetin e shtetit, në një periudhë kur nuk vihet re një realizim i duhur i të ardhurave.