E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMF: Falimentimet në Greqi, tregu shqiptar i sigurimeve i parrezikuar

24/09/2009  Ekonomi 23 shtator

Tregu shqiptar i sigurimeve është në gjendje të shëndoshë financiare dhe nuk pasqyron pasojat e vërejtura në vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe Greqinë. Ky është reagimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka ndjekur zhvillimet e fundit në tregun grek të sigurimeve dhe revokimin e licencës së disa shoqërive greke të sigurimit. “Duke marrë shkas nga prania e interesave të tyre në tregun shqiptar të sigurimeve, AMF sqaron dhe siguron opinionin publik se shoqëritë shqiptare të sigurimeve janë të mirëkapitalizuara. Kapitali minimal për çdo shoqëri është 370 milionë lekë, rreth 3 milionë euro, në nivelin e kërkuar nga direktivat e BE-së, i investuar tërësisht në depozita në sektorin bankar shqiptar dhe në bono thesari të Qeverisë shqiptare. Ky kapital garantohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe mund të preket nga shoqëria e sigurimit vetëm me autorizim të tij”, - thekson reagimi zyrtar i AMF-së. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, përveç kapitalit, shoqëritë e sigurimit zotërojnë asete të tjera shtesë të mjaftueshme, kryesisht likuide, për mbulim optimal, në përputhje me legjislacionin, të përgjegjësive të krijuara nga aktiviteti i tyre. Asetet në mbulim të përgjegjësive i nënshtrohen një monitorimi rigoroz dhe të vazhdueshëm nga ana e AMF-së. “Shoqëritë shqiptare të sigurimeve janë subjekte të krijuara në Shqipëri si shoqëri aksionere më vete në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të mbikëqyrura në vazhdimësi nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Kuadri ligjor shqiptar siguron mbrojtje substanciale për shoqëritë vendase të sigurimeve dhe konsumatorët. Aktiviteti i shoqërive të sigurimit është i përqendruar në shumicë dërrmuese në territorin shqiptar, dhe i fokusuar në produktet tradicionale, afatshkurtra, të sigurimit të jo-jetës dhe jetës”, - theksojnë burimet. Tregu shqiptar i sigurimeve nuk ofron produkte afatgjata apo të komplikuara financiare që lidhen me skema investimi apo transferimi të riskut, që kanë përbërë dhe thelbin e krizës financiare botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›