E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet hetimi, Ledion Ruçi s’meret i pandehur nga akuza

11/01/2012  Lika i pandehur. Djali i Gramoz Ruçit ishte me 50 km në orë gjatë aksidentit

TIRANE-Eduard Lika, është personi i vetëm që vihet nën akuzë nga prokuroria për aksidentin fatal me djalin e deputetit të PS Gramoz Ruçi, Ledio Ruçi, nga ku humbi jetën shtetasja 28-vjeçare Brunilda Pinderi. Gati dy muaj nga aksidenti i ndodhur në rrugën e Elbasanit, Prokuroria e Tiranës finalizon hetimet dhe merr të pandehur Eduart Likën për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e shtetases Brunilda Pinderi. Siç mësohet akuza e Prokurorisë është mbështetur në tre elementë kryesorë, ku së pari ekspertiza e aksidentit ka nxjerrë me shkelje të pandehurin Lika, dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë treguar se mjeti “Mini Cooper” i drejtuar nga pandehuri ka hyrë në kryqëzim me shpejtësi dhe elementi i tretë janë pamjet filmike të sekuestruar nga kamerat, që tregojnë lëvizjet e gabuara të të pandehurit Lika. Gjatë fazës hetimore, i dyshuar për këtë vepër penale ka qenë dhe djali i Gramoz Ruçit, Ledio Ruçi që drejtonte automjetin BMW X6 e përfshirë në aksident. Sipas përfaqësuesve të Prokurorisë, Ruçi ka qenë brenda rregullave të sinjalistikës rrugore të një kryqëzimi. Dy ekspertizat e kryera nga specialistët e fushës treguan se mjeti BMW X6, ka pasur të drejtën e përparësisë në kryqëzim, pasi në semafor ishte ndezur feneri jeshil dhe se drejtuesi i automjetit ka lëvizur me shpejtësi prej 50 km në orë. Ndërkohë që tjetër situatë është për sa i përket lëvizjeve në rrugë të automjetit “Mini Cooper” të drejtuar nga i pandehuri i kësaj çështje Elduard Lika. I pandehuri sipas organit të akuzës, s’ka pasur të drejtë përparësie, pasi në krahun e tij nuk ishte ndezur feneri jeshil i semaforit. Por jo vetëm kaq, pasi nga ekspertiza dhe studimet që u bënë më pas, rezultoi se shpejtësia e “Mini Cooper” të drejtuar nga i pandehuri Lika ishte 80 deri në 90 km në orë, shpejtësi kjo që tejkalon rregulloren rrugore në të tilla raste. Të pyetur nga gazeta “Metropol” se si shpjegohet që me një shpejtësi të vogël mjeti BMW X6, të dalë jashtë rruge dhe më pas të hyjë në ambientin e Fast-Fudit, burimet thanë se një gjë e tillë ndodh në aksidente, pasi është vetia shtyrjes së dy trupave kur përplasen. Ndërkaq nga pamjet filmike të një kamera që kishte fiksuar semaforin që shihte nga ETC, tregohet se në qe ndezur drita e verdhë dhe ka kaluar me të kuqe në kohën kur “Mini Cooperi” ka qenë duke hyrë në kryqëzim. Ekspertiza tregoi se në këtë kohë, në semaforin ku ishte ndodhur Ledian Ruçi, ndizej drita jeshile e lejimit të kalimit. I pyetur nga Prokuroria pas përmirësimit të shëndetit i pandehuri Eduart Lika, ka pranuar autorësinë e fajit për sa i përket futjes me të kuqe në kryqëzimin ku ndodhi aksidenti i rëndë, nga i cili humbi jetën shtetasja Brunilda Pinderi që ndodhej brenda automjetit tip “Mini Cooper” me targë CG 832 SC.

Historiku i ngjarjes

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 20 nëntor 2011, policia e Tiranës referoi dosjen në prokurori në ngarkim të dy të dyshuarve Ledion Ruçi dhe Eduard Lika. Tre ditë pas ngjarjes, ky i fundit u la në burg për akuzës e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen, ndërkohë që djali i deputetit Ruçi, Ledion Ruçi u lirua nga gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës. Seanca gjyqësore u zhvillua në ambientet e Spitalit Ushtarak, aty ku dy personat e dyshuar ishin shtruar pas aksidentit për marrjen e ndihmës mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›