Afron marsi, Edi Rama ngre barrikadën kundër BE-së
Edi Rama u është rikthyer dje kërcënimeve për prishje të marrëveshjes politike për miratimin e ligjeve me tre të pestat, duke i çuar mesazh Komisionit Evropian se s’është kapërcyer ngërçi në Shqipëri e se vendimi për statusin nuk duhet të merret kaq shpejt. Ai ka ngritur barrikadën kundër aspiratës për integrimin, si e vetmja mundësi që ai të mbijetojë politikisht, përmes riaktivizimit të linjës radikale
Edi Rama i rikthehet avazit të bllokimit të integrimit të Shqipërisë. Edi Rama u është rikthyer dje kërcënimeve për prishje të marrëveshjes politike për miratimin e ligjeve me tre të pestat, duke i çuar mesazh Komisionit Evropian se s’është kapërcyer ngërçi në Shqipëri e se vendimi për statusin nuk duhet të merret kaq shpejt.
Këtë po tenton ta bëjë, ashtu sikurse ai di ta bëjë “më mirë”..., nëpërmjet tentativës së bllokimit të reformave integruese.
Në prag të muajit mars, kur pritet që Komisioni Europian të mblidhet e të diskutojë midis të tjerave propozimin e tij ndaj Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, për dhënien e statusit si vend kandidat Shqipërisë, Edi Rama paralajmëron bllokimin e reformave integruese, duke u kapur këtë herë pas reformës zgjedhore.
Ai ka ngritur barrikadën kundër aspiratës për integrimin, si e vetmja mundësi që ai të mbijetojë politikisht, përmes riaktivizimit të linjës radikale.
Paralajmërimi justifikues i tij i djeshëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ishte, jo vetëm një treguesi më i mirë i tentativës së tij për rikthim te “bllokimi”, por edhe pretekst për këtë “bllokim”.
Ai që prej rreth dy vjetësh e mbajti peng këtë proces, tashmë bën sikur numëron edhe orët e përfundimit të “afatit” për plotësimin kushteve. Ai që edhe pas realizimit të qëllimit të tij, me bllokimin e procesit integrues, vinte kushte për kushtet e BE-së, nën pretekstin e rishikimit të ligjeve dhe kodeve nga e para, kur kishte dy vjet që “nuk ju hidhte sytë”, dje me profecinë e tij prej Kasandre, pasi dështoi në profecinë e trefishtë të “katastrofës nga bora, katastrofë nga energjia dhe katastrofë nga përmbytja”, nxori në skenë profecinë e radhës, atë të “(mos)finalizimit të reformës zgjedhore”, të cilën edhe ai vetë e njeh si “prioritet kyç i Bashkimin Europian”.
Që sjellja e Edi Ramës është thjesht dhe vetëm një tentativë për të shpërndarë në eter mesazhin e mosplotësimit të kushteve, është vetëm një vegim i tij, e tregojnë sjelljet e deputetëve socialistë, anëtarë të reformës zgjedhore, të cilët deri tani, nuk kanë shprehur asnjë merak e shqetësim, si ato që sheh Edi Rama në ëndërr, aq më tepër për afatet e reformës zgjedhore.