Mbyllet një tjetër fabrikë konfeksionesh në Korçë, 86 gra hidhen në rrugë
Një tjetër firmë me fason në fushën e konfeksioneve është mbyllur si pasojë e falimentit në qytetin e Korçës. Një nga firmat me fason "Gristal", që mbante të punësuara të paktën 86 gra, ka mbyllur dyert për punëtoret. Shkaku i mbylljes së kësaj fabrike ka qenë rënia e prodhimit. Sipas punëtoreve të firmës në fjalë, prej një jave është pezulluar puna në repartin e rrobaqepësisë ndërkohë që sipas tyre pagesa në muajt e fundit nuk ka qenë e rregullt, derisa është vendosur fillimisht shkurtimi i vendeve të punës dhe më tej ulja e prodhimit, deri në mbylljen e fabrikës. Por siç deklarojnë punëtoret, firma sërish mbetet debitore për dy muaj pagesë për punën e kryer në periudhën e fundit. Sipas deklarimeve të punëtoreve, në dy muaj e fundit prodhimi dhe puna në reparte ka qenë në rënie, duke bërë që gjatë kësaj periudhe punëtoret e firmës të qëndrojnë më tepër pa punë, derisa nga ana e firmës është vendosur mbyllja përfundimtare e fabrikës. "Nuk na janë paguar dy paga mujore pa llogaritur ditët e festive dhe ato jashtë orarit. Në periudhën e fundit ka pasur probleme dhe pagat nuk janë marrë në kohë, megjithatë nuk e kemi menduar se do të mbeteshim pa punë. Na është thënë se ka rënë prodhimi për shkak edhe të porosive se nuk ka pasur, pasi ne punojmë me fason. Tani jemi pa punë dhe pasi nuk ka kanë thënë asgjë në rast se do dalim në asistencë apo jo pas falimentimit, i jemi drejtuar sindikatës që të bëjë një marrëveshje që të na njihet asistenca", thotë një nga punëtoret. Sipas kryetares së sindikatave të pavarura në Korçë, Natasha Lubonja, pasojat e krizës kanë çuar në falimentimin e disa firmave, ndërsa problemet kryesore mbeten mungesa e vendeve të punës për gratë e larguara nga këto firma dhe nga ana tjetër, fakti se firmat nuk shpallin zyrtarisht falimentin duke u thënë punëtorëve se po bëjnë një mbyllje të përkohshme të punës. "Punëtoret sorollaten për faktin se edhe në këtë rast si në rastet e tjera të mbylljes së firmave këto nuk e shpallin falimentin në mënyrë zyrtare dhe gratë hidhen në rrugë, pa punë dhe pa pagesë, duke mos përfituar as asistencën. Nuk është rasti i parë që ndodh një fenomen i tillë. Për tetë gra të kësaj firme, të cilat ishin punësuar aty pas mbylljes së një tjetër biznesi me fason pak kohë më parë, është mundësuar marrja e asistencës, ndërkohë që janë shumë të tjera që mbeten në mënyrë të padrejtë jashtë skemës", thotë Lubonja. Pranë fabrikës së mbyllur, ku deri një javë më parë prodhoheshin konfeksione, nuk paraqitet asnjë person, ndërkohë që edhe pronarët nuk vijnë më, duke humbur kështu çdo kontakt. Zyrtarisht, pranë degës së tatimeve mësohet se firma nuk është paraqitur për shpallje falimenti. Brenda këtij viti në Korçë janë mbyllur tri firma me fason me pronarë grekë, duke lënë pa punë të paktën 300 gra, ndërkohë që 130 kanë fituar asistencën nga mbyllja e firmës së prodhimit të çantave dhe një pjesë nga një tjetër firmë konfeksionesh. Vetëm në muajt e fundit kanë mbyllur aktivitetin katër firma me fason, "Pagagin", "Damson", "Ballkan" dhe "Gristin". Ndërkohë, nga të dhënat zyrtare mësohet se në vitet e fundit janë mbyllur nëntë firma, pjesa më e madhe e të cilave operonin në fushën e konfeksioneve. Tri firma të mëdha janë mbyllur për efekt të krizës energjetike, dy për shkak të tërheqjes së porosive nga porositësit dhe kalimi e transferimi i punës në shtete të tjera, ndërsa katër prej tyre janë prekur nga kriza ekonomike. Në qytetin e Korçës numri i grave të punësuara në fabrikat me fason ka qenë 3500, ndërkohë që në vitet e fundit kjo shifër është reduktuar ndjeshëm, duke shkurtuar rreth 1000.