E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta kundër ndotjes, arrestime dhe të lënduar

Protestat e banorëve kundër veprimtarisë së fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë janë mbyllur me arrestime dhe të lënduar mes policisë. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur arrestimin e dy organizatorëve të protestës më të fundit të banorëve, si dhe deklaroi se manifestimi ka qenë i paligjshëm. Merit dhe Pëllumb Loci, përkatësisht 43 dhe 35 vjeç nga Fushë-Kruja janë arrestuar ditën e djeshme për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, si dhe kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit. Ndërkaq, mes të dëmtuarve nga konfrontimi i policisë me protestuesit ka qenë dhe shefi i rendit dhe sigurisë publike, komisar Agron Brahaj. Mëngjesin e së enjtes, rreth orës 07:00, në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë, në rrugën që të çon në të, ka nisur një protestë e banorëve të zonës. Me mjetet e tyre ata kishin bllokuar rrugën automobilistike duke bllokuar lëvizjen e makinave të fabrikës në të. Pas një ndërprerjeje prej më shumë se një muaji, protestat kanë nisur sërish kundër ndotjes së mjedisit nga veprimtaria e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Ndonëse në prokurori ekzistonte një hetim për "organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme" ndaj një tjetër organizatori të protestave të komunitetit, dita e enjte i ka gjetur sërish në protestë banorët e fshatit Zallë të Fushë-Krujës. Ata bllokuan rrugën hyrëse të fabrikës, duke mos i lejuar makinat të hyjnë në mjediset e brendshme të saj. Protestuesit bënë thirrje për mbylljen e aktivitetit të fabrikës që po u shkakton probleme në shëndet dhe në të mbjella. Ata pretendojnë se kompania që menaxhon fabrikën u kishte premtuar kompensim në para për medikamentet mjekësore që ata marrin për problemet që kanë si pasojë e ndotjes së lartë, si dhe shtëpi në zona të tjera për banesat më të afërta me fabrikën. Ky premtim nuk është mbajtur dhe banorët thonë se do të vazhdojnë të përshkallëzojnë protestat e tyre. Ndërkohë, shërbimet e policisë janë përpjekur ta mbajnë nën kontroll situatën duke bërë thirrje herë pas here për të negociuar me manifestuesit që të lironin rrugën dhe turma të shpërndahej qetësisht. Burimet policore thanë se për këtë protestë, pjesëmarrësit nuk kishin paraqitur kërkesë për dhënie leje nga Komisariati i Policisë Krujë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›