E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet procesi i ratifikimit të protokolleve Shqipërisë - NATO

Mbyllet procesi i ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.Ratifkimet e protokollit nga Senati i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe të parlamentit të republikës së Greqisë shënojnë përfundimin procedurave të ratifikimit të protokolleve nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, duke i hapur rrugë kështu antarësimit të plotë të Shqipërisë në Aleancë, në Samitin e ardhshëm të Strasburg-Kehl-it. Brenda një viti, u arrit që procesi i ratifikimit të mbyllej nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO u mor në Samitin e Bukureshtit në prill, ndërsa nënshkrimi zyrtar i protokollit u bë në Washington.
Ministria e Punëve të Jashtme falenderon të gjitha vendet anëtare të Aleancës për impenjimin e dëshmuar, në përmbushje të angazhimit politik, të marrë gjatë Samitit të Bukureshtit, për të ratifikuar Protokollet e Anëtarësimit përpara Samitit të prillit 2009-të. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson gjithashtu se, periudha e shkurtër - vetëm disa mujore, gjatë së cilës u realizuan të gjitha ratifikimet, është një shprehje tjetër e mbështetjes së vazhdueshme dhe të pakursyer që vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit Euroatlantik. Ministria e Punëve të Jashtme siguron vendet anëtare të NATO-s se Shqipëria është e gatshme për t'u përballur me përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë Aleancë dhe është plotësisht e vendosur për të vijuar procesin e reformave në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm institucioneve dhe shtetit ligjor, me qëllim përmbushjen e standardeve të nevojshme që kërkon integrimi Euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›