Palermo shkarkon trajnerin Pioli
Stefano Pioli është shkarkuar si trajner i Palermos vetëm tre muaj pas emërimit të tij në detyrë, ka njoftuar klubi sicilian.
Pioli, i cili udhëhoqi Chievon drejt pozitës së 11-të në sezonin e kaluar në Serie A, mori drejtimin e Palermos në qershor por u bë trajneri i dytë i shkarkuar nga një skuadër e elitës së futbollit italian ende pa filluar sezoni i ri.
Më herët Roberto Donadoni u largua nga Cagliari. “Trajneri i ekipit të rinjve Devis Mangia do të udhëheq përkohësisht skuadrën” thuhej në komunikatën e publikuar në uebfaqen e klubit (www.palermocalcio.it).
Palermo, që përfundoi i teti sezonin e kaluar në Serie A u eliminua nga Europa League në bazë të golave si mysafir nga skuadra zvicerane Thun. Sezonin e kaluar Palermo shkarkoi Serse Cosmin pas vetëm 36 ditëve në detyrë.