E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, fluks pacientësh në poliklinikat e kryeqytetit



Poliklinikat e kryeqytetit po presin një fluks të madh pacientësh
për shkak të panikut nga përhapja e virusit AH1N1. Pjesa më e madhe e qytetarëve që drejtohen në poliklinika pretendojnë se simptomat që kanë mund të jenë të gripit të derrit. Për këtë arsye, ata kërkojnë të kryejnë menjëherë vizitën tek mjeku specialist. Sipas mjekëve, ka pasur raste që kanë qenë të prekur nga virusi, por numri i tyre është shumë i ulët në raport me numrin e vizitave që kryhen. Sipas tyre mund të numërohen rreth 330-40 pacientë në ditë që pretendojnë se mund të jenë mbartës të virusit, ndërsa një pjesë e vogël e tyre janë mbartës. E njëjta situatë alarmante për shkak të gripit është vënë re edhe në Pediatrinë e Tiranës. Në Pediatrinë e Tiranës prindërit drejtohen për kryerjen e vizitave të fëmijëve, pasi pretendojnë se mund të jenë prekur me virusin e gripit. Kjo ndodh, pasi virusi ka pothuajse të njëjtat simptoma me virozat e stinës. Paniku i prindërve që drejtohen në poliklinika apo në pediatri vjen si pasojë përhapjes së virusit dhe numrit 16 që shënon personat e prekur. Ndërkohë në të gjitha spitalet janë shpërndarë broshura për t’u njohur me simptomat e virusit dhe si duhet të veprojnë të gjithë ata që dyshojnë se janë prekur. Aktualisht dyshohet edhe për dy raste të reja, të cilat ISHP i ka cilësuar të prekur nga virusi. Mostrat e këtyre personave janë nisur drejt Rumanisë për të kryer ekzaminimet përfundimtare. Sipas buletinit epidemiologjik të ISHP-së, numri i mostrave të marra ka arritur në 400 persona në të gjithë vendin. Çka tregon se virusi i rrezikshëm ndodhet mes popullsisë dhe çdokush është i rrezikuar për t’u prekur nga ky virus. Ndërkohë që problemi i vetëm mbetet sigurimi i vaksinës. Ndonëse prej muajsh shumë shtete në botë janë prekur nga virusi A/H1N1 duket ende e largët dita e prodhimit dhe e përdorimit të vaksinës kundër këtij virusi.
Ndërkohë që numri i mostrave është në 400, autoritetet shëndetësore nuk kanë marrë asnjë masë në pikat kufitare, portet dhe aeroportet, megjithëse është pretenduar se kontrollet ekzistojnë. Asnjë nga udhëtarët apo emigrantët nuk ka pohuar të jetë pyetur nga specialist në lidhje me gripin. Ndërkohë që në këto vende duhet të kishte edhe dhoma të posaçme të izolimit, në rast të prekjes nga virusi. Numri më i madh i personave të dyshuar është përqendruar në Tiranë. Megjithëse mostrat e marra janë nga të gjithë qytetet e vendit dhe sidomos në vendet që shfrytëzojnë turizmin bregdetar dhe që kanë numrin më të lartë të turistëve të huaj. Kështu, 4 rastet e fundit të konfirmuara dy ditë më parë me virusin e gripit të derrit janë nga Tirana. Dy prej këtyre personave e kanë marrë virusin jashtë vendit, pasi kanë udhëtuar në vendet e huaja. Ndërsa, 2 të tjerët e kanë marrë virusin brenda vendit. Çka e komplikon situatën dhe, pasi virusi mund të merret në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin.

Kura, afatet që duhen respektuar për marrjen e medikamenteve

Kura që duhet marrë për shmangien e virusit të gripit ka një afat të caktuar për përdorimin. Për të dhënë më tepër efektivitet, medikamenti ka një hark kohor të përshtatshëm që duhet ndjekur nga të gjithë pacientët e prekur. Në rast se nuk përdoret brenda afateve të caktuara, ai nuk mund të japë efekt. Specialistët sqarojnë se kura e Tamiflusë aplikohet brenda 48 orëshit të parë të shfaqjes së simptomave të gripit të derrit. Ndërsa, lidhur me efektin shërues të ilaçit, pohojnë se arrin deri në 98 për qind të shkatërrimit të virusit. Por përdorimi i këtij mjekimi që rezulton si shkatërrues i sëmundjes, rrezikon të japë efektet e tij kuruese për shkak të vonesave në kthimin e përgjigjeve të sakta të analizave. Për kthimin e përgjigjeve të analizave nga Rumania, mund të kushtojë rreth një javë apo dy javë kohë. Çka nuk përputhet me këshillat e rekomanduara nga specialistët e shëndetësisë, që aktualisht monitorojnë situatën në të gjithë vendin. Vonesat ndodhin për shkak se laboratori i referencës në Bukuresht mbulon të gjithë Europen Juglindore, që si çdo zonë tjetër është në gjendje alarmante për si pasojë e pandemisë. Kur përgjigjet kthehen nga Rumania, pjesa më e madhe e personave të prekur kanë dalë nga gjendja gripale e shkaktuar nga virusi i gripit. Kjo vonesë vë në dilemë mjekët për përdorimin e Tamiflusë që domosdoshmërisht në rastet e të prekurve me virusin AH1N1 duhet të aplikohet brenda 48 orëve nga shfaqja e simptomave të para të virusit.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›