E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, gjezdis fshatrave, në kërkim të xhenazesë së humbjes

Ka nisur një fushatë presioni ndaj krerëve lokalë të PS-së, ku vetë Edvini, po takon ata më problematikët, duke zyrtarizuar ofertat me para, por edhe duke zbardhur projektin, se cili do të jetë kurbani për humbjen e 28 qershorit. Këtë javë, Rama ka qenë në Durrës, Elbasan e Lezhë, ndërkohë që në rolin e varrmihësit të xhenazes së humbjes, ai parashikon të shkelë edhe Korçën, Fierin e Vlorën

TIRANE - Aktiviteti pos kthimit nga SHBA-ja e Edi Ramës, mësohet se është shumë i ngjeshur, ndërsa ai ka nisur një tur sigurimi votash, nëpër qytetet të ndryshme. Prej ditësh, mësohet se Edi Rama ka nisur “vizitat” e tij nëpër degë të ndryshme lokale të PS-së. Kjo fillim fushate presionesh dhe blerjesh votash nga anëtarësia socialiste, mësohet se këto ditë është shtrirë në Durrës, Elbasan, Lezhë, etj.
Burime nga këto qytete, bëjnë të ditur se Edi Rama, ka marrë kontakt me krerët lokal të këtyre degëve të PS-së, ndaj të cilave, ka ushtruar presion për sigurimin nga ana e tyre, e votave të mjaftueshme të anëtarësisë së PS-së, për rizgjedhjen e tij kryetar i mundshëm në kongresin e jashtëzakonshëm të 29 gushtit.
Të njëjta burime saktësojnë se kreu në ikje i PS-së, nuk e ka fshehur dhe pasigurinë për mos rizgjedhjen në krye të PS-ës, ndaj edhe ka përdorur të gjithë arsenalin e mundshëm, për të detyruar krerët lokalë, që qoftë nëpërmjet presionit ndaj anëtarësisë, qoftë nëpërmjet blerjes së votave, ti mundësojnë atij rikthimin në krye të partisë.
Nga ana e tyre, krerët lokalë të këtyre degëve të partisë, me gjithë dëshirën e ethshme të kryetarit të tyre në ikje, nuk kanë marrë përsipër ti sigurojnë votat e mjaftueshme Edi Ramës. Sipas bisedave të tyre me kryetarin në ikje, gjendja nuk duket optimiste, deri në atë nivel sa anëtarësia t’i mundësojë rikthimin Edi Ramës në krye të PS-së.
Përpos këtyre mospremtimeve, Edi Rama ka lënë direktivat e tij, që qoftë nëpërmjet presioni qoftë duke blerë vota, anëtarësia të detyrohet ët votojë rikandidimin e tij për kryetar.
Pjesa e presionit dhe e tentativës së sigurimit të votave për një rizgjedhje të mundshme në krye të PS-së, është njëra anë e sjelljes së Edi Ramës, në këtë prag kongresi të jashtëzakonshëm. Ana tjetër ka me përpjekjet që ai po bën për manipulimin e procesit zgjedhor, duke përdorur për këtë Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në PS, saktësisht kreun e këtij komisioni Genc Gjonçaj dhe anëtarin tjetër Bledar Doracaj.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS, Genc Gjonçaj, dhe një nga anëtarët e këtij komisioni Bledar Doracaj, janë personat e përzgjedhur nga Edi Rama për përgatitjen e manipulimit të procesit zgjedhor sipas parimit “një anëtar-një votë”, për zgjedhjen e kryetarit të tyre.
Mësohet se kryetari i Komisionit Zgjedhor në parti, juristi Genc Gjonçaj, i cili përfaqësoi PS-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të 28 qershorit, është i punësuar në bashkinë e Tiranës. Ky fakt e komprometon drejtimin e Komisionit Zgjedhor në PS, për shkak se drejtuesi i institucionit ku ai është i punësuar, Edi Rama do të rikandidojë për postin e kryetarit të PS-së dhe Gjonçaj do të administrojë të gjithë procesin e votimit, që nga lista e anëtarësisë e deri te komisionerët që do të administrojnë dhe numërojnë votat. Ndërkohë, edhe ndihmësi i Gjonçajt, Bledar Doracaj, njihet si “partner” biznesi i Edi Ramës, për faktin se biznesin e tij familjar, shtypshkrime, e kryen për dhe me ndihmën e bashkisë së Tiranës, për të cilën “mbaron disa punë”.
Ngritja e komisionit të votimit është një akt krejt jostatutor, që s’i takon kryetarit mandatprerë, bile as Asamblesë partiake, por vendimi është marrë e rruga e manipulimit mund të quhet si zyrtarisht e hapur. Dje, Genc Gjonçaj, i “përkrahur” edhe nga ish-anëtari i komisionit zgjedhor në PS, Bledar Doracaj, u kanë kërkuar sekretarëve të rretheve listën e anëtarësisë dhe të komisionerëve lokalë. Gjithashtu në të njëjtën shkresë, kryetari i Komisionit Zgjedhor në PS kërkon dhe emrat e komisionerëve që do të marrin pjesë në procesin e votimit.
Kjo skemë manipulimi e Edi Ramës, është denoncuar nga anëtarësia e PS-ës. Ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, Zamira Çaka, e cilësoi farsë, procesin e votimit të anëtarësisë socialiste për të zgjedhur kryetarin e saj.
Sërish dje, në mënyrë të përsëritur, ish-kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Socialiste Zamira Çaka akuzon kryetarin aktual të këtij komisioni, Genc Gjonçaj se është duke shkelur hapur statutin dhe Kodin e zgjedhjeve të kësaj partie. Ajo e cilësoi si parregullsi vendimin e Gjonçajt për të kërkuar me anën e një shkrese zyrtare, informacion nga sekretarët e rretheve të PS për emrat e anëtarësisë që do të votojë sipas parimit një anëtar, një votë për kryetarin e ri të partisë.
Rreth 2 vjet më parë në Partinë Socialiste u zhvilluan zgjedhjet për kryetar, sipas parimit një anëtar një votë, Çaka e cila mban në atë kohë detyrën e kryetares së Komisionit Zgjedhor në Partinë Socialiste dha dorëheqjen duke denocuar manipulimet dhe parregullsitë e konstatuara gjatë numërimit të votave gjatë procesit të numërimit. Proces, i cili në përfundim shpalli fitues si kryetar të Partisë më të madhe opozitare në vend, Edi Ramën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›